Çfarë po ndodh në Asamblenë e PS? Socialistët fikin edhe celularët
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste po zhvillon një takim me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalzit, larg vëmendjes së mediave. Një detaj që ka tërhequr vëmendjen gjatë zhvillimit të mbledhjes është pamundësia për të kontaktuar përmes telefonit celular anëtarët e PS-së që ndodhen në takim.
Telefonat e socialistëve pjesëmarrës rezultojnë të paarritshëm, ndërsa kjo ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe konfidencialitetin e takimit. Deri më tani nuk ka një konfirmim nëse pjesëmarrësve u është kërkuar shprehimisht të fikin pajisjet e tyre celulare, apo nëse bëhet fjalë për ndërhyrjen e ndonjë pajisjeje që pengon transmetimin e sinjalit telefonik.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse kjo situatë është pjesë e një protokolli të posaçëm për zhvillimin e mbledhjes apo një mase teknike të marrë për të kufizuar komunikimet me jashtë.
Takimi po zhvillohet pa praninë e gazetarëve dhe kamerave. Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar se në këtë mbledhje do të përcillte mesazhe të rezervuara posaçërisht për socialistët, duke lënë jashtë diskutimit publik përmbajtjen e komunikimit me strukturat e partisë.
Në një moment kur Partia Socialiste përballet me zhvillime të rëndësishme politike dhe institucionale, vëmendja është përqendruar te mesazhet që Rama do t’u përcjellë drejtuesve dhe anëtarëve të Asamblesë, si dhe te vendimet që mund të dalin nga ky takim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



