Autoritetet hungareze kanë sekuestruar rreth 20 milionë dollarë para të gatshme, të cilat ishin fshehur në pyje, ndërtesa bujqësore, depo dhe prona private, në kuadër të një hetimi për ryshfet ndaj Miklos Sesztakut, ish-ministër në qeverinë e ish-kryeministrit Viktor Orban.
Sipas autoriteteve, paratë u zbuluan gjatë bastisjeve të zhvilluara në disa lokacione, ku një pjesë e tyre ishte groposur në pyje, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në ndërtesa bujqësore, depo dhe në një kasafortë me vlerë të lartë, në një lokacion të izoluar, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ministri i Financave, Andras Karman, bëri të ditur se shuma e sekuestruar përfshin 5.07 miliardë forinta hungareze, 2.66 milionë euro dhe 1.26 milionë dollarë. Sipas tij, 12 punonjës të Thesarit të Shtetit u deshën tetë orë për t’i numëruar paratë, duke përdorur pesë makina për numërimin e kartëmonedhave.
Sesztak, i cili shërbeu si ministër i Zhvillimit në qeverinë e Orbanit nga viti 2014 deri më 2018, ka mohuar çdo keqbërje. Avokati i tij nuk ka dhënë përgjigje ndaj kërkesës për koment lidhur me sekuestrimin e parave.
Ky hetim është pjesë e fushatës së gjerë kundër korrupsionit të kryeministrit Peter Magyar, i cili pas fitores në zgjedhjet e prillit i dha fund 16 vjetëve të qeverisjes së Orbanit.
Magyar ka premtuar hetimin e pretendimeve për korrupsion dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, të cilat ishin dëmtuar gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij.
Në kuadër të hetimeve të tjera për korrupsion, nën arrest ndodhen edhe dy ish-ministra të qeverisë së Orbanit dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy. Të gjithë kanë mohuar akuzat ndaj tyre.
Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu edhe vëllain e Orbanit, në një rast që lidhet me dyshimet për trafikim të personave. Ish-kryeministri i ka cilësuar këto veprime si hakmarrje politike.
Fushata kundër korrupsionit, të cilën Magyar e ka quajtur “Operacioni Purgatori”, sipas një sondazhi të publikuar nga Median në faqen e mediumit HVG, konsiderohet shumë e rëndësishme nga 70 për qind e të anketuarve.
Ndërkohë, sipas një tjetër matjeje të Median, mbështetja publike për partinë Fidesz të Orbanit ka rënë në 16 për qind të votuesve deri në nëntor.