Një aksident i rëndë rrugor është shënuar paraditen e sotme në Rrugën e Arbrit, në zonën e njohur si “Zall Maricë”, në Njësinë Administrative Zall-Bastar, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga JOQ Albania, dy automjetet po udhëtonin në drejtim të Dibrës. Në njërin prej tyre, me targa të Tetovës, udhëtonte një çift ku gruaja ka humbur jetën si pasojë e përplasjes.
Ndërkohë, në automjetin tjetër udhëtonte një familje nga Dibra, me tre fëmijë. Edhe në këtë mjet, sipas të dhënave paraprake dhe policisë kryefamiljari, i cili ishte në drejtimin e automjetit, ka humbur jetën.
Dëshmitarë të rastit janë përpjekur t'u japin ndihmën e parë personave të përfshirë në aksident, deri në mbërritjen e autoambulancave në vendngjarje.
Dy ambulanca kanë mbërritur për t'u ardhur në ndihmë të dëmtuarve dhe për transportimin e tyre drejt spitalit.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Informacionet për viktimat dhe gjendjen e personave të tjerë të përfshirë janë paraprake dhe pritet konfirmimi zyrtar nga autoritetet.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:15, në Xibër, në afërsi të tunelit të Murrizit, janë përplasur dy automjete me drejtues shtetasit B. O., rreth 42 vjeç dhe shtetasi A. F., rreth 45 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi B. O., rreth 42 vjeç dhe shtetasja M. F, pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin A. F.
Gjithashtu, janë dërguar 5 shtetas në spital, për kontroll mjekësor.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.