‘Një gol ndaj Forlì, si ai ndaj Interit’/ Ronaldinho, sërish në fushën e lojës: Ja përse zgjodha Ravennan

14/11/2026 11:36

Ravenna përgatitet që të shohë në fushën e lojës një legjendë të futbollit si Ronaldinho që kthehet te luajë në moshën 46 vjeçare. Gjithçka do të ndodhë në pasditen e së dielës në derbin me Forlì ku ai pritet të luajë që nga minuta e pare dhe ku gjithçka është ezauruar.

Në prag të debutimit të tij Ronaldinho rrëfehet për median italiane, një rrëfim që e nis me golin e shënuar në derbin me Interin me fanellën e Milanit

Nesër luhet derbi Ravenna–Forlì, një përballje e veçantë që përkon edhe me rikthimin tuaj në fushë, 11 vjet pas lamtumirës nga futbolli. Ndërkohë, ju keni shënuar më parë në një tjetër derbi, atë të Milanos…

‘Po, sigurisht, ai gol kundër Interit me fanellën e Milanit. Ishte goli im i parë në Itali dhe një moment i veçantë, që sigurisht nuk e harroj. Sa herë që kthehem në Itali, ma kujtojnë pothuajse gjithmonë. Periudha te Milani ishte e mrekullueshme në çdo aspekt: njerëzit që më përshëndesnin, golat dhe kujtimet e bukura. Tani dua t’i bëj të lumtur tifozët e Ravenës, të cilët e përjetojnë futbollin me kaq shumë pasion’.

Ronaldinho dhuron spektakël, por çfarë emocionesh përjetoni ju?

‘Jam i lumtur. Jam i lumtur që, pas kaq shumë kohësh, mund të rikthehem në fushë. Më pëlqen ideja se mund t’u dhuroj gëzim këtyre tifozëve të rinj’.

Pse vendosët të riktheheni, Ronaldinho?

‘Për miqësinë që kemi me Ignazio Ciprianin (presidentin e Ravenës) dhe për projektet që kemi për të ardhmen. Nëse do të dhuroj spektakël? Jam këtu për të përjetuar një moment të veçantë, unik dhe të paharrueshëm në jetën time. Besoj se edhe për futbollistët e tjerë kjo do të jetë një ditë e veçantë, ose të paktën shpresoj të jetë e tillë’.

Çfarë ju shtyn të vazhdoni të luani futboll?

‘Nisa të luaj shumë vite më parë dhe, kur i dhashë fund karrierës, u ktheva pas për të parë rrugëtimin tim dhe kuptova se kisha fituar gjithçka. Tani kam mundësinë të bëj sërish diçka në futboll dhe kjo më bën të lumtur. Dua gjithashtu t’u dhuroj tifozëve një ditë të bukur, duke e nisur këtë aventurë të re me gëzim dhe entuziazëm. Shpresoj që të gjithë të kalojmë një ditë të bukur së bashku’.

Gëzimi ka qenë gjithmonë një tipar dallues i futbollit tuaj. Pse mendoni se keni arritur të fitoni simpatinë e njerëzve kudo në botë, ndërsa të tjerët ndoshta nuk ia kanë dalë? Me pak fjalë, ju duan në çdo cep të botës…

‘Nuk di çfarë të them, por e konsideroj veten me fat nëse shumë njerëz më shohin si një figurë pozitive dhe si një pikë referimi. Gjithsesi, jam i lumtur që kam pasur edhe kolegë me karakter krejt të ndryshëm nga imi’.

Le të kthehemi te Milani dhe derbi. Ju mungon vetëm goli i 300-të në karrierë dhe mundësia për ta shënuar pikërisht përpara një tjetër derbi… 

‘Për momentin nuk po mendoj për këtë… Më vonë të shohim’.

Cili është kujtimi juaj më i bukur nga koha te Milani?

‘Janë shumë, jashtëzakonisht shumë. Golat, stërvitjet, Milanello, ai gol në derbi, shokët e skuadrës, fitoret. Milani mbetet një kujtim i mrekullueshëm, pavarësisht këndvështrimit nga i cili e sheh’.

Kush do të jetë Ronaldinho i ri?

‘Nuk më pëlqen të bëj krahasime, ka shumë futbollistë të rinj që më pëlqejnë shumë dhe që mund të bëjnë mirë; mjafton të shohësh brazilianët…’.

Po mendon edhe për Endrick? Pëlqehet nga Milan e Roma; është lojtar për Serie A?

‘Sigurisht. Është një djalosh që mund të luajë në çdo vend të botës; në shumë kampionate ka bërë mirë, France, Brazil e Spanjë, është shumë i ri dhe mund të luajë e të bëjë mirë’.

Ancelotti, trajneri i Brazilit; mendimi juaj

‘Është trajneri më i mirë në botë, jam i sigurt se do të bëjë gjëra të mëdha’.

Nëse do të duhej të bënit një klasifikim për manovrat e lojës në karrierën tuaj, cili mendon se është driblimi më i bukur?

‘Rikthimi në fushë në moshën 46 vjeçare…’.

Top Channel