Rama: Shqipëria do të jetë ylli i ri i Europës, vendi nuk mund të ndalet asnjë minutë
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka një përgjegjësi historike për të vijuar punën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se vendi duhet të jetë “ylli i ri i Europës”.
Rama deklaroi se ky proces kërkon përkushtim, komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe mbështetje për komunitetet, ndërsa nënvizoi se përtej arritjeve, qeveria duhet të përqendrohet te problemet dhe shqetësimet e njerëzve.
“Shqipëria do të jetë ylli i ri i Europës. Është përgjegjësi historike konkrete për të ulur kokën dhe për të punuar papushim. Për të komunikuar pa reshtuar me të gjithë rreth e rrotull, për të mbështetur pa u lodhur njerëzit, komunitetet që na e kanë dhënë ne këtë privilegj që të gjendemi sot në këtë moment të historisë dhe nesër të kemi mundësinë të shohim me krenari të shkuarën dhe të themi: ‘Isha dhe unë kur ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë’.
Varet nga ne, në radhë të parë, ta sjellim atë në kohë. Prandaj Shqipëria nuk mund të ndalet në asnjë minutë. Ne nuk mund të ndalemi me arritjet tona, por duhet të kthehemi me përulësi te njerëzit, për t’u përqendruar te hallet e tyre”, tha Rama.




