Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, është ndalur te rrugëtimi i Shqipërisë që prej ardhjes së socialistëve në pushtet në vitin 2013, duke vënë theksin te reformat e ndërmarra dhe objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Rama e krahasoi procesin e integrimit europian me një libër të gjatë, faqja e fundit e të cilit, sipas tij, është traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Kreu i qeverisë u shpreh se socialistët trashëguan një vend të zhytur në borxhe, me probleme të mëdha në sektorë të ndryshëm dhe me një mungesë të theksuar shprese për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Në vitin 2013, njerëzit na kërkonin gjëra krejt elementare. Sapo ne filluam reformën e energjisë, Shqipëria nisi të zgjohej me ndjesinë se kishte filluar një faqe e re e shtetbërjes”, deklaroi Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe reformën në drejtësi, duke theksuar se realizimi i saj ishte shoqëruar me tensione, përplasje dhe vështirësi të shumta politike.
Ai bëri gjithashtu një krahasim mes gjendjes së qyteteve shqiptare në të kaluarën dhe transformimeve që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë qeverisjes socialiste.
Duke përmendur Shkodrën, Beratin, Lezhën, Vlorën dhe Belshin, Rama tha se hapësirat që sot frekuentohen nga qytetarët dhe turistët dikur ishin të mbushura me makina dhe kafshë që tregtoheshin.
“Gjithçka i ngjante një vendi të harruar nga Zoti”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Rama iu referua edhe situatës së dikurshme në sistemin shëndetësor, duke përshkruar kushtet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Në korridoret e spitalit ‘Nënë Tereza’ ecte njeriu me biçikletë dhe nuk dallohej mjeku nga i sëmuri”, tha kryeministri.
Në përfundim të këtij argumentimi, Rama theksoi rëndësinë e bashkimit të energjive dhe përpjekjeve të socialistëve për të përmbyllur procesin e integrimit europian, të cilin e cilësoi si rezultat të shumë viteve punë dhe sakrificash.
