Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, u ndal te ndryshimet që, sipas tij, ka pësuar Shqipëria që nga viti 2013. Rama solli si shembuj transformimin e Tiranës, qyteteve turistike dhe kushteve në spitale e shkolla.
“Tirana ka probleme, por Tirana sot është kryeqytet europian. Ishin vendbanime pa qytete, aty ku sot njerëzit shijojnë, në turma turistësh, Shkodrën, Beratin, Lezhën, Vlorën e me radhë, të gjitha. Aty kishte vetëm parkime të mëdha makinash, përzier me lopë dhe viça që vinin për t’u shitur, dhe gjithçka i ngjante një vendi të harruar nga Zoti. Si mundet ne t’i harrojmë këto?
Pas atij togfjalëshi, “traktati i anëtarësimit”, nuk jemi vetëm ne këtu. Është një pafundësi njerëzish. Ndër këta, edhe njerëz të administratës së shumë anatemuar, që goditet përditë e përditë, ndërkohë që ka në gjirin e vet mijë e mijëra punonjës të dinjitetshëm, shërbëtorë të padujshëm të shtetit dhe publikut shqiptar.
Si mundet ne të mos shohim pas atij togfjalëshi korridoret e spitalit nën Terezë, me biçikleta brenda? Ecej me biçikletë në korridorin e spitalit. Jo në 1913, por në 2013. Nuk dallohej mjeku, i sëmuri, i afërmi, shitësi i farave apo i të brendshmeve nga kalimtari që përshkonte rrugën nga Bardhyli te rruga matanë, duke u futur mes spitalit. Po shkollat, qindra e qindra”, tha Rama.










