Kryeministri Edi Rama deklaroi në fjalën e tij para anëtarëve të Asamblesë së PS se socialistët do të dialogojnë me qytetarët në të gjithë vendin.

Kreu i qeverisë foli për protestat studentore, duke shtuar se u shkulën gurët e Bulevardit si dhe u hodhën të gjithë molotovët si asnjëherë në 36 vite.

Rama u bëri thirrje socialistëve të dalin në çdo lagje dhe fshat për të zhvilluar biseda dhe debate me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe të dëgjimit të mendimeve ndryshe.

“Kanë folur, i kanë thënë të tëra, i kanë shkulur të tërë gurët e bulevardit, i kanë hedhur të tëra sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në Shqipëri në 35 vjet liri, por fjala jonë nuk është thënë akoma. Tani është koha të flasim ne. Por të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat. Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës. Një mandat si ky është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe ky mision nuk zhbëhet dot nga askush. Është një mision, nuk është një leje për t’i dëgjuar njerëzit një herë në katër vite. Aq më pak një e drejtë për të mos qenë te njerëzit më shumë se çdo herë më parë”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb