“Njëri më daulle se tjetri…”, Rama: Krenar për PS, asnjë forcë tjetër s’e çon dot vendin në BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Asamblesë Socialiste e cila po mbahet në Gjirin e Lalzit se ndihet krenar për PS-në, duke e lidhur këtë me arritjet e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Rama theksoi se Partia Socialiste nuk mund të ndalet në procesin e përmbushjes së detyrave që kërkohen për integrimin europian, ndërsa u bëri thirrje socialistëve të vijojnë punën dhe të mos bien pre e vetëkënaqësisë. Ai u shpreh se partia duhet të ruajë krenarinë dhe të vijojë të kërkojë më shumë nga vetja.
Gjithashtu thekso ise asnjë forcë tjetër politike, përveç PS-së nuk mund ta çojë vendin në Bashkimin Evropian.
“Dua t’ju them që unë sot jam shumë krenar për këtë parti. Jam shumë krenar për këtë parti, sepse pa këtë parti ai togfjalësh nuk do të ishte shkruar.
Sepse ajo që nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë ata që bëjnë sikur s’kuptojnë, kur unë them që ne e kemi të ndaluar ta mendojmë se mund të ndalemi për një moment dhe mund të themi: ‘Hajdeni të bëjmë ndonjë gjë tjetër’. E kemi të ndaluar kategorikisht ta mendojmë këtë gjë.
Sepse ne jemi një forcë e vetme që funksionon me kronometër, të tjerët funksionojnë me kilometra. Çdo ditë ne duhet të përmbushim detyra. Duhet të jemi të mobilizuar, të çojmë në Bruksel të gjitha ato që kërkohen.
Ka qindra probleme, por ne kemi detyrën të mos hedhim beben bashkë me ujin e pisët. Ne duhet të hedhim ujin e pisët, por duhet të kujdesemi për beben.
Asnjë forcë tjetër politike nuk e mban dot këtë përgjegjësi. Njëri me daulle, tjetri…
Prandaj unë jam krenar, por krenaria ka një kuptim shumë përcaktues për atë që ti je dhe që ti mund të mbetesh, që është se s’ka vend për vetëkënaqësi. Ushqehet vijimisht me kërkim te vetja, të nxjerrjes së më shumë dhe më mirë nga vetja, për ta mbajtur krenarinë aty ku ajo ta mban kokën lart.
PS nuk mund ta ulë kokën për askënd dhe për asnjë arsye”, tha Rama.




