Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një prani më të gjerë të Partisë Socialiste në territor, duke e cilësuar komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët si një domosdoshmëri për këtë mandat qeverisës.
Gjatë fjalës në Asamblenë e PS-së, Rama u shpreh se burimet e informacionit në Tiranë, sipas tij, janë kundër socialistëve, ndërsa theksoi se partia duhet të mbështetet te komunikimi me komunitetet në të gjithë vendin.
“Prania Besnike e provon çdo të premte se është një nga shtigjet e duhura për të ndier nga afër pulsin dhe ndjesinë e çdo komuniteti dhe për t’i dhënë politikës atë frymëmarrje të domosdoshme që ne duhet ta marrim atje, në burim. Sepse burimet këtu në Tiranë janë kundër nesh, për një mijë e një arsye. Por ne kemi burimin që s’na ka lënë në baltë asnjëherë. Prandaj ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë iu referua edhe protestave të zhvilluara gjatë muajve të fundit, duke përmendur përplasjet dhe përdorimin e molotovëve. Sipas tij, pas kësaj periudhe është radha e socialistëve për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët, jo vetëm në Tiranë, por në çdo komunitet.
“Kanë folur, i kanë thënë të tëra, i kanë shkulur të tërë gurët e bulevardit, i kanë hedhur të tëra sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në Shqipëri në 35 vjet liri, por fjala jonë nuk është thënë akoma. Tani është koha të flasim ne. Por të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat”, u shpreh ai.
Rama e cilësoi mandatin aktual si një mision që, sipas tij, shkon përtej një cikli të zakonshëm katërvjeçar. Ai tha se kjo përgjegjësi kërkon që përfaqësuesit e PS-së të jenë më pranë njerëzve dhe të mos kufizojnë kontaktet me ta vetëm në periudhën e zgjedhjeve.
“Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës. Një mandat si ky është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe ky mision nuk zhbëhet dot nga askush. Është një mision, nuk është një leje për t’i dëgjuar njerëzit një herë në katër vite. Aq më pak një e drejtë për të mos qenë te njerëzit më shumë se çdo herë më parë”, përfundoi kryeministri.

