E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Tenderi për Rezervuarin e Kurjanit mund të rikthejë Lindën e Roskovecit në dyert e SPAK-ut
Lajme

Tenderi për Rezervuarin e Kurjanit mund të rikthejë Lindën e Roskovecit në dyert e SPAK-ut

KLSH zbulon shkeljet

Një tjetër raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit vendos në qendër të vëmendjes Bashkinë e Roskovecit dhe kryebashkiaken socialiste Majlinda Bufi. Këtë herë bëhet fjalë për një tender me vlerë rreth 150 milionë lekë për rritjen e sigurisë së digës dhe përmirësimin e kapacitetit ujëmbledhës të rezervuarit të Kurjanit, ku audituesit kanë evidentuar një sërë shkeljesh gjatë prokurimit dhe zbatimit të kontratës.

Procedura është zhvilluar më 28 tetor 2024, me një fond limit prej 153 milionë lekësh pa TVSH, financuar nga buxheti i shtetit. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë K.M.K SHPK dhe Caushi M SHPK, me një ofertë prej 125.4 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa kontrata u nënshkrua më 12 dhjetor 2024, gjatë drejtimit të bashkisë nga Majlinda Bufi.

Sipas raportit të KLSH-së, kompanitë fituese nuk plotësonin të gjitha kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Në formularin e vetëdeklarimit mungonte inxhinieri gjeodet, ndërsa kontratat e punës të paraqitura për një hidraulik rezultonin të skaduara përpara zhvillimit të procedurës.

Probleme janë konstatuar edhe me dokumentacionin e punonjësve të tjerë. Dy persona të deklaruar si punëtorë ndërtimi nuk figuronin në listëpagesat e kompanisë për muajin shtator, ndërsa për pozicionin e inxhinieres hidroteknike kishte mospërputhje mes emrit të deklaruar dhe dokumenteve fizike të paraqitura.

Për audituesit, këto mangësi duhej të ishin konstatuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përpara shpalljes së fituesit. Për këtë arsye, KLSH kërkon shqyrtimin e përgjegjësive të anëtarëve të komisionit dhe marrjen e masave administrative.

Por problematikat më të rënda financiare lidhen me zvarritjen e punimeve dhe mënyrën se si janë llogaritur penalitetet për kompanitë fituese.

Investimi nisi më 18 dhjetor 2024 dhe duhej të përfundonte brenda gjashtë muajve. Me kërkesë të sipërmarrësit, Bashkia Roskovec miratoi shtyrjen e afatit deri më 17 dhjetor 2025. Megjithatë, as ky afat nuk u respektua.

Sipas auditimit, deri më 1 qershor 2026, punimet rezultonin me 165 ditë vonesë, ndërsa vlera e punimeve të parealizuara brenda afatit arrinte në 47.8 milionë lekë.

Pikërisht në këtë pikë shfaqet një diferencë e konsiderueshme mes llogaritjeve të KLSH-së dhe atyre të Bashkisë Roskovec.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përllogaritur 31.5 milionë lekë penalitete që duhet të arkëtohen nga bashkimi i kompanive fituese. Ndërkohë, komisioni i ngritur nga vetë bashkia e kishte vlerësuar detyrimin në vetëm 8.3 milionë lekë, pra mbi 23 milionë lekë më pak.

Edhe mbikëqyrësi i punimeve kishte propozuar një penalitet më të ulët, rreth 4.3 milionë lekë.

Nga ana e tyre, bashkia dhe kontraktorët kanë argumentuar se një pjesë e vonesave ishte shkaktuar nga përmbytjet, kushtet atmosferike dhe problemet me furnizimin me energji elektrike. KLSH ka kërkuar verifikimin e mëtejshëm të këtyre pretendimeve për të përcaktuar saktësisht përgjegjësinë për ditët e vonesës, por ka mbajtur rekomandimin për arkëtimin e 31.5 milionë lekëve sipas përllogaritjeve të auditimit.

Raporti evidenton gjithashtu mungesën e dokumentacionit të plotë për katër situacionet progresive të punimeve. Ato nuk shoqëroheshin me librezat përkatëse të masave, dokumente që shërbejnë për të verifikuar sasitë reale të punimeve të kryera.

Një tjetër problem lidhet me garancinë e ekzekutimit të kontratës, me vlerë rreth 15 milionë lekë, për të cilën audituesit konstatojnë se nuk rezulton të jetë përdorur mekanizmi përkatës, pavarësisht mosrespektimit të afateve.

KLSH kërkon marrjen e masave për arkëtimin e penaliteteve, shqyrtimin e përgjegjësive të strukturave të përfshira në prokurim dhe vlerësimin e masave administrative ndaj mbikëqyrësit të punimeve.

Raporti i ri vjen pas përballjes së Majlinda Bufit me SPAK-un. Më 1 korrik 2026, Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshme në çështjen për përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, lidhur me zgjedhjet vendore të vitit 2023.

SPAK kishte kërkuar dënimin e saj me një vit e gjashtë muaj burg, me pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në shërbim prove. Megjithatë, gjykata vlerësoi se akuza nuk ishte provuar.

Tashmë, konstatimet e reja të KLSH-së rikthejnë vëmendjen te mënyra se si janë administruar fondet publike nga Bashkia Roskovec. Edhe pse deri tani nuk ka një hetim të konfirmuar të SPAK-ut për këtë tender dhe as një akuzë të re ndaj Bufit, gjetjet e auditimit mund të shërbejnë si bazë për verifikime të mëtejshme nga organet kompetente.

Mbetet për t’u parë nëse përgjegjësitë do të kufizohen te masat administrative dhe rikuperimi i penaliteteve, apo çështja do të marrë edhe një dimension penal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.