Vendosni fjalën kyçe....

Rama për rastin e Ballukut: Unë dhe PS nuk bëjmë avokatinë e askujt



Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia. Ai hodhi poshtë pretendimet, duke theksuar se as ai dhe as Partia Socialiste nuk bëjnë avokatinë e personave që kanë probleme me drejtësinë.

Rama deklaroi se raporti me drejtësinë duhet të mbetet një raport mes pushteteve të ndara, ndërsa çështjet personale të secilit duhet të ndiqen përmes avokatëve të tyre.

“U ngrit një furtunë sikur unë mbrojta Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Por cila është e vërteta ime që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe gjithmonë: raporti ynë me drejtësinë është dhe mbetet raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal të vetin! Me avokatët e vet, unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt! Gjeni një fjalë, timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot, për asnjërin dhe për asnjërën”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te çështja e Erion Veliajt, duke përsëritur qëndrimin e tij se paraburgimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Tiranës është absurd dhe përbën një çështje të demokracisë. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të shprehet për themelin e çështjes apo përgjegjësinë ligjore të Veliajt.

“Po do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë dhe e përsëris këtë gjë. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nuk mund të thuash se ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë. Ose njëra, ose tjetra. Të dyja bashkë janë nonsens. Por nuk do të them asnjëherë asgjë për meritën e çështjes”, u shpreh ai.

Sa i përket rastit të Ballukut, Rama sqaroi se kundërshtimi i tij lidhej me kërkesën për autorizim për paraburgimin e deputetes, ndërkohë që hetimet vijonin, dhe jo me vlerësimin e çështjes në themel. Ai pretendoi se hetimet tashmë kanë përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim, duke shtuar se socialistët do ta kundërshtojnë përmes ligjit qasjen që, sipas tij, u ndoq në këtë rast.

Në vijim, kryeministri kritikoi përdorimin e paraburgimit në Shqipëri, duke pretenduar se një pjesë shumë e madhe e personave që mbahen në institucionet e vuajtjes së dënimit nuk janë dënuar ende. Sipas tij, 63 për qind e tyre janë në paraburgim, çka përbën edhe një barrë për taksat e qytetarëve.

“Kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë. 63% e njerëzve që paguhen me taksat e shqiptarëve janë të paraburgosur dhe nuk kushtojnë pak. Ndodhin çudira, u mbarojnë afatet dhe dalin pa u gjykuar fare. Këtu ne nuk jemi në Mesjetë, ku turma kërkon gjak dhe kërkon turrë drush! Se nesër vjen te tjetri e tjetri dhe ligji nuk ka lidhje fare me figurat e larta, as me veprat që lidhen me SPAK, por ka të bëjë me shumë bij nënash që janë të pafajshëm deri në momentin kur gjykohen. Të rrinë në burg? Po pse? Mbajmë në burg pa gjyq edhe turistë të huaj, kalamaj që i kapin me hashash dhe rrinë atje presin të gjykohen?!”, deklaroi Rama.