Aktualitet Politikë

Rama: Nuk e mbrojta Ballukun, s’bëhemi avokat i askujt!

Gjatë fjalës së transmetuar live nga mbledhja e sotme e Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama tha se nuk e mbrojti Belinda Ballukun nga përballja me drejtësinë. Fakti që nuk votuan pro heqjes së imunitetit, sipas tij, nuk ndikoi në hetimet e SPAK-ut dhe çështja shkoi për gjyq. Rama tha se kjo ishte pjesë e një qasjeje që do ta kundërshtojnë me ligj.

U ngrit një furi si e mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta ime, që unë e kam ndarë me ju?

Eshtë e njëjta dhe është gjithmonë kjo: raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet.

Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën.

Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Jo te mendimi im për çështjen, po te vota jonë.

Sot e vërteta është aty: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje që ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj.

Kemi punuar më shumë se një vit apo gati dy vjet, me paketën e masave për paraburgimin. Jemi vendi më absurd i Europës, kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë.

Ndërkaq, nuk la pa përmendur rastin Veliaj:

Po do të gjeni fjalë të miat, për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Eshtë absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq.

Nuk mund të thuash po ti, që jo, ky nuk mund të zëvendësohet se ky është në detyrë. O njërën o tjetrën, të dyja bashkë janë një non sens. Por, asnjëherë s’kam thënë e s’do them në lidhje me meritën e çështjes.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.