“CIA 2”? Gjermania zgjeron veprimin e shërbimeve sekrete jashtë vendit!

14/11/2026 13:49

Bundestagu gjerman ka miratuar një reformë të rëndësishme të shërbimeve sekrete vendase cila u jep atyre kompetenca më të gjera për të ndërhyrë në mënyrë aktive kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare.

Me ndryshimet e reja ligjore, Shërbimi Federal i Inteligjencës, BND, dhe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, BfV, nuk do të kufizohen më vetëm në mbledhjen dhe analizimin e informacioneve, por do të mund të ndërmarrin edhe veprime konkrete kundër kundërshtarëve dhe kërcënimeve të identifikuara.

Sipas reformës, BND-ja, e cila merret me inteligjencën jashtë vendit, do të ketë të drejtë të ndërhyjë në mënyrë aktive ndaj sulmeve kibernetike të organizuara nga shtete të huaja, duke sulmuar sistemet digjitale të kundërshtarëve dhe duke i nxjerrë ato jashtë funksionit. Në raste të caktuara, ajo mund të ndërhyjë edhe për të shkatërruar armë të kundërshtarëve, nëse ato përbëjnë rrezik për Gjermaninë.

Ndërkohë, edhe Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, përgjegjëse për sigurinë e brendshme, do të fitojë kompetenca të reja. Në situata të veçanta rreziku, ajo mund të hyjë në banesat e personave të dyshuar pa një urdhër paraprak kontrolli nga gjykata, si dhe të ndërhyjë në kompjuterët dhe telefonat e tyre inteligjentë.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e cilësoi reformën si një ndryshim historik, duke argumentuar se kërcënimet ndaj Gjermanisë janë shtuar, veçanërisht nga Rusia, sulmet kibernetike, ekstremizmi politik dhe fetar, si dhe veprimtaritë që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike.

Sipas tij, Gjermania duhet të ketë shërbime sekrete më të fuqishme për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve. Megjithatë, reforma ka shkaktuar debate të forta politike dhe juridike.

Partitë AfD dhe E Majta votuan kundër saj, ndërsa Të Gjelbrit abstenuan. Kundërshtarët argumentojnë se qeveria po u jep shërbimeve sekrete kompetenca të tepruara, duke rrezikuar ndarjen tradicionale mes inteligjencës dhe policisë. Kjo ndarje ka qenë një parim themelor i sistemit gjerman të sigurisë, i vendosur pas përvojës së diktaturës naziste dhe abuzimeve të Gestapos.

Edhe ekspertë të së drejtës kushtetuese kanë shprehur shqetësime për kompetencat e reja. Profesori Matthias Bäcker nga Universiteti i Mainzit paralajmëron se shërbimet sekrete po marrin kompetenca ndërhyrëse që mund të cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve. Sipas tij, veçanërisht problematike është mundësia e hyrjes me forcë në banesa dhe ndërhyrjeve në pronën private pa garancitë e zakonshme gjyqësore.

 

Top Channel