Kryeministri Edi Rama ka kërkuar sot përjashtimin nga Partia Socialiste të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, duke iu drejtuar me pyetjen anëtarëve të Asamblesë së PS-së: “A duhen përjashtuar Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca?”.
Ndërkohë, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Rama ka kërkuar një lloj “amnistie”, duke argumentuar se ai i ka “duart e lidhura”, për shkak se ndodhet në paraburgim.
“Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura”, deklaroi Rama.
Edi Rama ka reaguar ndërkaq ndaj akuzave se ka mbrojtur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku nga drejtësia, duke mohuar se ka ndërhyrë apo ka bërë avokatinë e saj.
Rama deklaroi në Asamblenë Kombëtare se marrëdhënia e PS-së me drejtësinë bazohet te parimi i ndarjes së pushteteve dhe se çdo person që ka një çështje me drejtësinë duhet të përfaqësohet nga avokati i tij.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te çështja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar paraburgimin e tij absurd.
“Unë sot jam shumë krenar për këtë parti. Jam shumë krenar për këtë parti, sepse pa këtë parti, ai togfjalësh nuk do të ishte shkruar. Nuk ka vend për vetëkënaqje, por për kërkim të vetes, për të nxjerrë më shumë, për ta mbajtur krenarinë aty ku ajo ta mban kokën lart. PS nuk mund ta ulë kokën për askënd dhe për asnjë lloj arsyeje.
U ngrit një teori e tërë, një furtunë e tërë se si unë mbroja Ballukun nga drejtësia. Dua të them këtë, sepse nuk më është dhënë rasti ta them, ndërkohë që e kam dëgjuar të përsëritet pafundësisht dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta e vërtetë? E vërteta ime, të cilën e kam ndarë me ju, është e njëjta dhe është gjithmonë kjo: raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara. Kush ka një problem me drejtësinë, ka personin e vet me avokatët e vet. Unë dhe PS nuk bëjmë avokatinë e askujt.
Gjeni një fjalë timen që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot. Për asnjërin dhe për asnjërën. Do të gjeni fjalë të mira për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë dhe e përsëris: nuk mund t’ia marrësh kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq. Por, nga ana tjetër, nuk mund të thuash pastaj se ai nuk mund të zëvendësohet, sepse është në detyrë. Tani, o njëra, o tjetra. Të dyja bashkë janë një nonsens. Por asnjëherë nuk kam thënë dhe nuk do të them për meritën e çështjes. Nuk është puna ime.
Në rastin e Ballukut kam thënë se nuk ka arsye që ne të ngremë kartonin për të paraburgosur një tjetër kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Sot e vërteta është aty, e gjitha. Hetimet vazhduan, u kryen dhe çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje, të cilën personalisht unë dhe ne do ta kundërshtojmë me ligj. E kemi thënë këtë dhe kemi punuar më shumë se dy vjet me gjithë paketën e masave për paraburgimin. Jemi vendi më absurd i Europës, kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë, ku mund të futesh në burg edhe për një telefon.”, tha Rama. a.b





