Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në zonën e Zefyrit, në Atikë të Greqisë, ku dy zjarrfikës, 23 dhe 44 vjeç, kanë humbur jetën gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri shpërtheu në një objekt të braktisur në rrugën Katsantoni. Gjatë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, një pjesë e ndërtesës u shemb papritur, duke zënë poshtë efektivët që ndodheshin brenda dhe po punonin për shuarjen e flakëve.
Pavarësisht përpjekjeve për t'i shpëtuar, dy zjarrfikësit u nxorën pa jetë nga ndërtesa. Ndërkohë, një efektiv i tretë, i cili fillimisht rezultonte i zhdukur dhe po kërkohej nga autoritetet, u gjet i plagosur.
Alarmi në Qendrën Operacionale të Shërbimit Zjarrfikës u dha rreth orës 11:40. Në vendngjarje u dërguan 20 zjarrfikës me gjashtë automjete nga disa stacione zjarrfikëse të Athinës, si dhe forca të Njësisë Speciale të Menaxhimit të Fatkeqësive (EMAK). Në zonë mbërritën gjithashtu dy njësi mjekësore të lëvizshme dhe dy ambulanca të EKAB-it.
Sipas raportimeve të mediave greke, autoritetet po hetojnë nëse dy zjarrfikësit humbën jetën nga asfiksia, për shkak të tymit dhe kushteve brenda ndërtesës, apo si pasojë e shembjes së materialeve ndërtimore.
Ndërkohë, Ekipi i Hetimit të Krimeve të Zjarrvënies në Athinë është angazhuar për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe rrethanat e sakta që çuan në këtë tragjedi.









Komente
Komento