Tragjedi në Greqi, humbin jetën dy zjarrfikës gjatë shuarjes së flakëve, 22 dhe 40 vjeç
Një ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në Greqi, ku dy zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në zonën e Zefirit.
Viktimat janë dy efektivë të moshës 22 dhe 40 vjeç, të cilët ndodheshin brenda objektit në momentin kur një pjesë e ndërtesës u shemb. Si pasojë e incidentit, një tjetër zjarrfikës ka mbetur i plagosur.
Në vendngjarje u angazhuan 20 zjarrfikës me gjashtë automjete nga tre stacione zjarrfikëse të Athinës, si dhe forcat e njësisë speciale EMAK.

Gjatë operacionit të shuarjes së flakëve, ndërsa efektivët po ndërhynin brenda ndërtesës, një pjesë e saj u shemb.
Fillimisht, njëri prej efektivëve u nxor nga rrënojat pa shenja jete dhe u transportua me ambulancë drejt spitalit. Një tjetër u nxor i plagosur, ndërsa në momentet e para pas ngjarjes raportohej se kërkohej edhe një zjarrfikës i tretë.
Informacionet e mëvonshme konfirmuan vdekjen e dy efektivëve dhe plagosjen e një tjetri.

Autoritetet greke po hetojnë nëse zjarrfikësit humbën jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi dhe kushtet e vështira brenda objektit, apo nëse u zunë poshtë nga materialet e ndërtesës që u shemb.




