Një ngjarje e rëndë ka tronditur shërbimin zjarrfikës dhe opinionin publik në Greqi, pasi dy efektivë kanë gjetur vdekjen dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në Zefiri, në bashkinë e Filit.
Incidenti tragjik ndodhi mesditën e së shtunës, pasi Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës mori njoftimin rreth orës 11:40 për flakët në një strukturë në rrugën “Katsantoni”. Në vendngjarje u angazhuan menjëherë forca të shumta, ku morën pjesë 20 zjarrfikës me gjashtë automjete nga stacionet e ndryshme të Athinës, të mbështetur edhe nga efektivë të njësisë speciale EMAK.
Gjatë operacionit për vënien nën kontroll të flakëve dhe kontrollit të brendshëm të ndërtesës, strukturat e saj pësuan një shembje të papritur. Si pasojë e rënies së materialeve ndërtimore dhe kushteve të rënda brenda godinës, dy zjarrfikës të moshave 23 dhe 44 vjeç mbetën viktimë, ndërsa një koleg i tyre u plagos dhe u transportua drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Autoritetet kompetente, përfshirë Njësinë Hetimore për Krimet e Zjarrit në Athinë, kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit dhe faktorët që çuan në shembjen e pjesshme të ndërtesës, duke kërkuar përgjigje nëse humbja e jetëve erdhi si pasojë e asfiksisë nga tymi apo nga zënia poshtë prej rrënojave.









