Çfarë vendosi Rama për Spiropalin? Klosi zbulon si qëndron e vërteta
Kërkesa e Edi Ramës për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste nuk është vënë në votim gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e zhvilluar këtë të shtunë në Gjirin e Lalëzit.
Pavarësisht përplasjes së raportuar mes kryeministrit dhe deputetes, mbledhja përfundoi pa një vendimmarrje për largimin e saj nga partia. Kështu, Spiropali vijon të jetë zyrtarisht pjesë e Partisë Socialiste.
Këtë e konfirmoi edhe sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, i cili pas përfundimit të mbledhjes u pyet nga gazetarët nëse deputetja ishte ende anëtare e partisë.
“Po, është anëtare e PS”, deklaroi Klosi.
I pyetur nëse çështja e përjashtimit do të shqyrtohet në një moment të dytë, ai theksoi se diskutimet e zhvilluara ishin të brendshme dhe se vendimmarrja e mbledhjes lidhej me miratimin e platformës “Këshilltari i bashkisë sime” dhe vijimin e fushatës elektorale në të gjithë territorin.
Pra, pavarësisht kërkesës së Ramës, Asambleja nuk mori një vendim për përjashtimin e Spiropalit, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo çështje do të rikthehet për shqyrtim në një mbledhje të ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



