Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje mbi vendimet e marra në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura.
Në një prononcim për mediat, Klosi tha se mbledhja ishte pjesë e kalendarit të rregullt të Asamblesë dhe se diskutimet u përqendruan te përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Ai bëri të ditur se partia do të hapë forumet e saj për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, ndërsa puna do të shtrihet në çdo qendër urbane dhe rurale.
Sipas tij, përmes këtyre forumeve do të evidentohen problematikat dhe çështjet që kërkojnë zgjidhje, me qëllim që propozimet e PS-së të reflektohen në garën e ardhshme elektorale dhe në drejtimin e bashkive.
Klosi konfirmoi gjithashtu se Ogerta Manastirliu do të vijojë të jetë drejtuese politike e qarkut të Tiranës, ndërsa Ervin Demo dhe Albana Koçiu do të jenë bashkëdrejtues politikë për territorin e Bashkisë së Tiranës.
“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë si në të gjithë bashkitë e vendit. Drejtimi i partisë së bashkisë së Tiranës do jetë nga Demo dhe Koçiu. Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu”, tha Klosi.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e përjashtimit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste, sekretari i Përgjithshëm nuk pranoi të komentonte, duke i cilësuar këto si çështje të brendshme të partisë.
“Prandaj janë diskutime të brendshme. Vendimmarrja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i bashkisë sime’, miratimin e procesit për të vazhduar fushatën elektorale në çdo cep të territorit”, u shpreh ai.