Interes i shtuar për programet master, Laçej: Regjistrimet u mbyllën me 9 nëntor, jemi në të njëjtat shifra

Arsim | 7 minuta më parë

Interesi për programet e studimit të ciklit të dytë Master dhe për programet e doktoraturës vijon të jetë i lartë në Universitetin e Shkodrës. Një ndër programet që ka shënuar rritje të ndjeshme të kërkesave është Masteri i Gjuhës së Huaj, i cili vitin e kaluar akademik pësoi një ndryshim, duke kaluar nga program profesional në program shkencor. Zëvendësrektorja e

Universitetit të Shkodrës bën me dije se ky ndryshim është shoqëruar me një bum kërkesash për regjistrim, jo vetëm nga studentët e diplomuar, por edhe nga vetë mësuesit, të cilët kanë shfaqur interes për të vijuar studimet e tyre në këtë program.

“Unë përmend masterin shkencor në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, pasi ai vitin e kaluar kaloi nga master profesional në master shkencor, pas kërkesës së bërë nga fakulteti. U bë një riorganizim dhe programi kaloi në master shkencor. Mund të them se kemi një dyndje të mësuesve, edhe të atyre që kanë përfunduar më parë studimet me 60, 90 apo 120 kredite, por që kanë qenë gjithmonë në nivelin e masterit profesional. Tashmë, për një profesionalizim dhe rritje të mëtejshme profesionale, shumë prej tyre kanë zgjedhur edhe masterin shkencor dhe po rikthehen në auditorë pikërisht për të përfunduar këto studime”, Eliana Lacej, Zëvendësrektore e UNISHK.

Ndërkohë, interes ka vijuar të ketë edhe për dy programet e doktoraturës që ofron universiteti. Sipas drejtuesve të institucionit, këto programe mbeten një mundësi e rëndësishme për ata që synojnë të thellojnë më tej formimin akademik dhe të angazhohen në kërkimin shkencor.

“Doktoratura vijon pranë Fakultetit Ekonomik, në fushën e turizmit të qëndrueshëm, si dhe pranë Qendrës së Kërkimeve Shkencore të Fakultetit të Shkencave Sociale, në fushën e andragogjisë. Të dyja janë aktive dhe kanë shumë kërkesa”, tha ajo.

Sa i përket regjistrimeve për ciklin e dytë të studimeve, procesi është përmbyllur më 9 nëntor, duke shënuar kështu mbylljen e fazës së aplikimeve për programet Master në Universitetin e Shkodrës.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme