Zelensky: SHBA-të i propozuan Ukrainës të lëshojë Donbasin në këmbim të anëtarësimit në NATO

Zelensky: SHBA-të i propozuan Ukrainës të lëshojë Donbasin në këmbim të anëtarësimit në NATO

15:01, 14/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Negociatorët amerikanë kanë hedhur idenë që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga rajoni lindor i Donbasit, në këmbim të anëtarësimit në NATO. Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke zbuluar një nga propozimet e diskutuara gjatë negociatave për përfundimin e luftës me Rusinë.

Deklarata e Zelenskyt vjen pasi të dërguarit e SHBA-së zhvilluan takime në Moskë dhe në Dublin, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kievi ka kërkuar prej kohësh anëtarësimin në NATO si një garanci sigurie në çdo marrëveshje paqeje, me qëllim parandalimin e agresioneve të ardhshme ruse. Nga ana tjetër, Moska e ka cilësuar të papranueshme praninë e një tjetër vendi anëtar të NATO-s në kufijtë e saj.

Zelensky ka përsëritur vazhdimisht se Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territoret e saj sovrane, pavarësisht kërkesave të Moskës për dorëzimin e Donbasit.

“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po sikur Ukraina t’i bashkohet NATO-s? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që kjo çështje ngrihej”, u tha Zelensky gazetarëve të shtunën.

Presidenti ukrainas shtoi se nëse do të merrte një propozim që përfshinte garanci sigurie, mungesë kufizimesh për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit, do ta paraqiste atë për miratim në një referendum.

Të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff udhëtuan drejt kryeqytetit irlandez të enjten, ku u takuan me Zelenskyn, pas një raundi bisedimesh me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Deklaratat e zyrtarëve rusë dhe të Kremlinit tregojnë se qëndrimi i Moskës ndaj luftës nuk ka ndryshuar. Kërkesat e saj për territore dhe neutralitetin e Ukrainës vazhdojnë të tejkalojnë ndjeshëm atë që Kievi është i gatshëm të pranojë.

Moska ka kërkuar më parë kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase, lëshime territoriale dhe neutralitet të garantuar për Kievin si kushte për një marrëveshje paqeje.

Ukraina i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke argumentuar se kufizime të tilla do t'i hiqnin vendit mundësinë për t'u mbrojtur nga një pushtim i ardhshëm.

Megjithatë, kohët e fundit janë shfaqur disa shenja të mundësisë së gjetjes së një kompromisi. Muajin e kaluar, Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, arriti të ndërmjetësonte një armëpushim të përkohshëm në rajonin e Khersonit, për të mundësuar evakuimet dhe shpërndarjen e ndihmave.

Zyrtarët amerikanë kishin deklaruar më herët se anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte jashtë diskutimit. Por Zelensky tha të shtunën se propozimi i fundit amerikan e kishte bërë të besonte se “NATO është rikthyer në axhendë”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë.

“Ju i keni dëgjuar edhe sinjalet e Putinit dhe kjo është një bisedë jashtëzakonisht e vështirë”, u shpreh presidenti ukrainas.

Rusia aktualisht kontrollon afërsisht një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, të cilat përbëjnë Donbasin.

Dorëzimi i territoreve që Ukraina ende kontrollon në këtë rajon do të kishte një rëndësi të madhe simbolike dhe politike për Kievin, pasi do të nënkuptonte pranimin e pretendimeve territoriale të Rusisë mbi Donbasin.

Zelensky ka deklaruar më parë se synon rikthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia në katër rajone të Ukrainës, si dhe të gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.

Raundi i fundit i negociatave vjen pas një periudhe tensionesh mes Kievit dhe Uashingtonit, të shkaktuara nga sulmet ukrainase ndaj objekteve të naftës në thellësi të territorit rus.

Presidenti amerikan Donald Trump i kishte kërkuar Ukrainës të ndalonte këto sulme, me argumentin se kjo do të lehtësonte furnizimin me naftë ruse dhe do të ndihmonte në uljen e çmimeve globale të karburantit, të cilat janë rritur që prej sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në shkurt.

Më pas, Zelensky akuzoi zyrtarët amerikanë për kufizimin e shërbimit të internetit Starlink në Ukrainë, të cilin ushtria ukrainase e përdor për të koordinuar operacionet mbrojtëse.

Nga ana e tij, Trump deklaroi se “kishte ardhur koha që Ukraina të kishte një president të ri” dhe bëri thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Zgjedhjet në Ukrainë janë pezulluar për shkak të gjendjes ushtarake. Megjithatë, Zelensky ka deklaruar më herët se është i gatshëm të organizojë zgjedhje brenda pak muajsh nga arritja e një marrëveshjeje paqeje. Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të hequr dorë nga presidenca në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO./BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco