“8 pikat e PD-së për Reformën Zgjedhore”, Bylykbashi: Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia

14 Nëntor 2026 | 15:20

Një ditë pasi Partia Demokratike prezantoi propozimet e saj për Reformën Zgjedhore, nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi, ka publikuar një status në rrjete sociale ku thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk garantohen vetëm ditën e votimit, por kërkojnë edhe shmangien e përdorimit të administratës publike, buxhetit dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale.

“Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia dhe krimi!”, shkruan Bylykbashi.

Ai rendit tetë fushat ku, sipas propozimeve të PD-së, duhet të garantohet ndarja e shtetit nga partia:

1. Administrata publike – Pa presion politik dhe mobilizim partiak të punonjësve.

2. Vendimet qeveritare, fiskale dhe sociale – Pa përdorim elektoral të përfitimeve publike.

3. Buxheti, prokurimet dhe investimet – Fondet dhe pasuria shtetërore në shërbim të qytetarëve, jo të partive.

4. Patronazhimi – Pa kushtëzim politik të punësimit dhe shërbimeve publike.

5. Kontrollet dhe inspektimet – Pa përdorim selektiv të pushtetit shtetëror për presion politik.

6. Të dhënat personale – Regjistrat shtetërorë nuk janë databaza elektorale.

7. Aktivitetet zyrtare – Funksioni publik nuk mund të shndërrohet në fushatë partiake.

8. Media dhe propaganda institucionale – Informimi publik duhet të ndahet nga promovimi elektoral i pushtetit.

Bylykbashi propozon gjithashtu që reforma të parashikojë ndalime të përhershme të abuzimit me burimet shtetërore, si dhe mbrojtje të përforcuar në periudhën përpara zgjedhjeve.

Një tjetër pikë lidhet me fuqizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit opozita kërkon t’i jepen kompetenca për të kontrolluar dhe ndërhyrë drejtpërdrejt, në kohë reale, përballë shkeljeve.

Në propozimet e PD-së përfshihet edhe mekanizmi “Ndalo – Rivendos – Sanksiono”, me synimin që shkeljet të mos ndëshkohen vetëm përmes gjobave pas zgjedhjeve, por të ndërpriten dhe të korrigjohet avantazhi i paligjshëm i krijuar.

Gjithashtu, Bylykbashi kërkon që në rastet kur provohet se një mandat është fituar për shkak të abuzimit të rëndë me burimet shtetërore, të parashikohet edhe humbja e tij nga subjekti zgjedhor, me garanci dhe kontroll gjyqësor.

“Nuk mjafton të ndëshkohet shkelësi, nëse partia ruan mandatin e fituar nga shkelja. Nuk mjafton të numërohen saktë votat, nëse liria e tyre është cenuar përpara votimit”, thekson ai.

Në përfundim, nënkryetari i PD-së përsërit kërkesën e opozitës për ndarjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe për ndryshimin e sistemit të përfaqësimit. Konkretisht, PD kërkon zgjedhjen e Parlamentit me sistem proporcional kombëtar me listë të hapur, si dhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë me lista të hapura.

Bylykbashi kërkon që Kuvendi t’i kthejë këto propozime në rregulla konkrete, kontrolle të detyrueshme dhe pasoja reale përpara zgjedhjeve të 9 majit 2027.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA ndalon të gjitha fluturimet, çfarë dihet deri tani për kaosin në aeroporte

Transporti ajror në Shtetet e Bashkuara është përballur me ndërprerje të mëdha të premten, më 13 nëntor, pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin...
23:50 | 13/11/2026

Bllokimi i fluturimeve në SHBA, Sekretari i Sigurisë: Zgjidhja do të kërkojë kohë, të gjithë janë të sigurt

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, paralajmëroi se zgjidhja e problemit që ka shkaktuar ndalimin e nisjes së fluturimeve në SHBA do të kërkojë...
23:31 | 13/11/2026

Paralizohet transporti ajror në SHBA, afro 7 mijë fluturime të anuluara

Rreth 7 mijë fluturime janë vonuar ose anuluar në Shtetet e Bashkuara pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e nisjeve në të gjitha...
22:55 | 13/11/2026