Greqi/ Mashtronin qytetarët duke u hequr si punonjës të kompanive të energjisë elektrike, dy 21-vjeçarë përvetësojnë mbi 210 mijë euro

14/11/2026 15:45

Dy të rinj, një 21-vjeçar dhe një vajzë e së njëjtës moshë, janë arrestuar në Greqi, pasi dyshohet se mashtronin qytetarët duke u paraqitur si punonjës të kompanive të energjisë elektrike.

Përmes kësaj skeme, ata përvetësuan para dhe bizhuteri me vlerë mbi 210 mijë euro, raportojnë mediat greke.

Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal që vepronte në zona të ndryshme të Atikës, duke mashtruar qytetarët përmes telefonatave dhe duke u marrë atyre para dhe sende me vlerë.

Sipas autoriteteve, dy të arrestuarit u lokalizuan dhe u vunë në pranga mesditën e 11 nëntorit 2026, në Aspropirgos. Deri më tani, hetuesit kanë zbardhur shtatë raste mashtrimi dhe vjedhjeje, ndërsa përfitimi i paligjshëm i grupit vlerësohet në më shumë se 210 mijë euro.

Nga hetimet rezultoi se organizata kriminale ishte krijuar të paktën që prej marsit të vitit 2026 dhe kishte si qëllim mashtrimin dhe grabitjen e qytetarëve. Anëtarët e grupit përzgjidhnin viktimat përmes numrave të telefonit të gjetur në direktoritë telefonike. Më pas, i telefononin duke u prezantuar si punonjës të kompanive të energjisë elektrike.

Për t’i bindur qytetarët, përdornin justifikime të ndryshme, kryesisht pretendimin për një rrjedhje të energjisë elektrike në banesë, duke krijuar panik dhe duke i nxitur të ndërmerrnin veprime të menjëhershme.

Nën këtë pretekst, viktimat bindeshin të mblidhnin paratë dhe bizhuteritë që mbanin në shtëpi dhe t’i vendosnin në vende të caktuara, brenda ose jashtë banesave të tyre. Në ato momente, bashkëpunëtorët e grupit shkonin në vendin e përcaktuar dhe merrnin sendet me vlerë.

Telefonatat kryheshin nga anëtarë të tjerë të organizatës, të cilët kishin rolin e telefonistëve dhe vepronin nga qendra telefonike. Ata mbanin komunikim të vazhdueshëm me viktimat, në mënyrë që personat që kryenin vjedhjet të mos kishin kontakt të drejtpërdrejtë me ta dhe të shmangnin identifikimin.

Për të vështirësuar gjurmimin nga policia, përdornin një numër të madh kartash dhe linjash telefonike të regjistruara në emra personash të panjohur. Për lëvizjet e tyre përdornin edhe automjetin e 21-vjeçares së arrestuar.

Sipas hetimeve, 21-vjeçari kishte rolin e personit që merrte paratë dhe, së bashku me një tjetër bashkëpunëtor, shkonte në banesat e viktimave për të marrë paratë dhe bizhuteritë.

Top Channel