E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rebelimi në PS/ Xhafaj, Braçe dhe Majko i dalin kundër Ramës për Spiropalin
Lajme

Rebelimi në PS/ Xhafaj, Braçe dhe Majko i dalin kundër Ramës për Spiropalin

Kërkesa e Edi Ramës për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste ka shkaktuar kundërshti në radhët e vetë socialistëve. Pas Fatmir Xhafajt, edhe Erion Braçe dhe Pandeli Majko mësohet se kanë dalë kundër propozimit të kryeministrit, duke kundërshtuar përdorimin e përjashtimit si zgjidhje për mosmarrëveshjet brenda partisë.

Gjatë diskutimeve në Asamblenë Kombëtare, tre figurat e njohura të PS-së kanë mbajtur qëndrimin se debatet dhe problemet politike duhet të zgjidhen brenda strukturave të partisë, pa shkuar deri te largimi i anëtarëve.

“Partia Socialiste nuk është parti e përjashtimeve, por duhet t’i zgjidhë brenda saj të gjitha problematikat”, mësohet të ketë qenë qëndrimi i tyre.

Kundërshtia merr rëndësi për shkak të profilit politik të tre socialistëve. Erion Braçe ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj vendimmarrjeve të qeverisë dhe drejtimit të partisë, ndërsa Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko kanë mbajtur përgjithësisht një profil më të rezervuar në përplasjet publike me drejtimin e PS-së.

Këtë herë, megjithatë, ata janë rreshtuar në të njëjtën anë përballë kërkesës së Ramës për përjashtimin e Spiropalit.

Veliaj kërkon mocion mosbesimi ndaj Ramës

Ndërkohë, një tjetër zhvillim që ka trazuar mbledhjen e Asamblesë është letra e Erion Veliajt drejtuar anëtarëve të saj. Nga paraburgimi në Fier, kryebashkiaku i Tiranës ka përcjellë një mesazh të gjatë, ku kritikon mënyrën se si drejtohet Partia Socialiste dhe kërkon nisjen e procedurës për një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të saj.

Në letrën me titull “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, Veliaj akuzon Ramën për përqendrim të vendimmarrjes, dobësim të demokracisë së brendshme dhe zëvendësim të debatit politik me besnikërinë ndaj kryetarit. Ai u kërkon socialistëve të diskutojnë hapur përgjegjësinë politike të drejtimit aktual të partisë.

Pavarësisht kritikave të Veliajt, Rama nuk ka kërkuar përjashtimin e tij nga PS-ja. Gjatë diskutimeve në Asamble, kryeministri mësohet të jetë shprehur se për kryebashkiakun e Tiranës nuk duhet të merret një masë e tillë, duke iu referuar situatës së tij ligjore.

“Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura”, mësohet të ketë thënë Rama.

Në fund, kërkesa për përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës nuk u hodh në votim dhe Asambleja u mbyll pa një vendim për largimin e tyre nga partia. Mbetet për t’u parë nëse ky ishte një tërheqje taktike e kryeministrit apo një hap pas përballë kundërshtive që propozimi shkaktoi brenda radhëve të socialistëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.