Partia Socialiste mblodhi sot Asamblenë. Dhe ne vazhdojmë ta trajtojmë si ngjarje politike, njëlloj si të diskutohej në mediat italiane përgatitja elektorale e Cosa Nostra-s.
Lajmi për këtë asamble dhe bëmat e saj duhej të renditej tek kronika e zezë në skaletat informative. Lënda kriminale brenda atyre mureve është e mjaftueshme të mbajë edhe tri breza SPAK-u me punë 24/7. Gjithë çfarë ndodh në forumet e asaj partie kërkon shpjegim në kategoritë e kriminologjisë dhe jo në analizë e shkenca politike.
Mandej kur u bëjmë qilizëm vendimeve të asamblesë së PS-së si ngjarje politike të duket sikur po analizosn mafien siciliane për mungesë demokracie të brendshme.
Madje, krahasimi druaj se i bën padrejtësi mafies, sepse ajo të paktën nuk pretendon se është shtëpi e socialdemokracisë që do të integrojë një vend në Bashkimin Europian.
Asnjë lajm i saktë nuk del prej aty, thashetheme, thënie e kundrathënie të organizuara për të përmbushur qëllimet propagandistike të organizatës. Të sigurta janë veç hakërrimet me duart e skuqura nga shtrëngimi i podiumit të kryetarit të organizatës. Sport ekstrem t’u bësh analizë politike diskutimeve e vendimeve të asamblesë, kur marrësit e tyre janë për hetim penal.
Sa për përjashtimet nga organizata, ka një precedent ajo strukturë. Quhet Mariana Koçeku, deputetja që ka vendosur kutin e gjykimit të çdo vendimi duke e shoqëruar me akt politik. Çdo gjë më pak se kaq nuk e kalon dot pragun e amnistisë për vendimet e sjelljet e kaluara, por as meritën e kurajos politike.






