Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka evidentuar një sërë shkeljesh në mënyrën se si Qendra për Punë Sociale në Pejë ka trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.
Sipas raportit të hartuar pas inspektimit, janë konstatuar mosrespektimi i afateve gjyqësore, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas përgjegjësive zyrtare dhe mungesë e mbikëqyrjes profesionale.
Raporti evidenton se dokumentacioni është dorëzuar në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, ndërsa menaxherja e rastit ka munguar në seancën gjyqësore të 5 tetorit. Gjithashtu, sipas Ministrisë, nuk është realizuar monitorimi i kërkuar pas marrjes së vendimit gjyqësor dhe nuk janë zbatuar procedurat standarde të menaxhimit të rastit.
Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhirit, marrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit dhe drejtuesit të Shërbimeve Sociale. Rekomandohet gjithashtu shtimi dhe ritrajnimi i stafit profesional, si dhe mbikëqyrje e vazhdueshme për djalin 12-vjeçar të Arlinda Zekajt.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga kunati i saj, pasi ishte kthyer nga stacioni policor, ku kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje. Sipas raportimeve, 49-vjeçarja kishte kërkuar në vazhdimësi ndihmë nga institucionet.
