Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar për shpërthimin me tritol në automjetin e një punonjëseje të Bashkisë së Elbasanit.
Ngjarja ndodhi më 5 nëntor, në lagjen “28 Nëntori”. Fillimisht, në lidhje me këtë ngjarje u arrestua një 17-vjeçar, ndërsa sot janë vënë në pranga edhe dy persona të tjerë: O. T., 24 vjeç, dhe S. P., 29 vjeç, të dy banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se O. T., në bashkëpunim me 17-vjeçarin B. H., të ndaluar më parë, kanë qenë bashkautorë në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të punonjëses së bashkisë, A. D.
Ndërkohë, S. P. dyshohet se ka transportuar lëndën plasëse me automjetin e përdorur për kryerjen e ngjarjes, i cili ishte siguruar nga E. T., të ndaluar menjëherë pas shpërthimit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

