Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me moderatoren Nisida Tufa, ka komentuar protestën e të rinjve kundër qeverisë, duke e cilësuar atë si një lëvizje sociale që ka gjeneruar energji të re në shoqëri. Sipas Nazarkos, protesta nuk duhet parë vetëm përmes tubimeve në sheshe, pasi pakënaqësia dhe reagimi qytetar janë shtrirë edhe në rrjetet sociale. Megjithatë, analisti vlerëson se kjo lëvizje do të kishte më shumë efekt nëse do të arrinte të merrte një formë politike dhe të bashkonte grupe të ndryshme shoqërore në një platformë të përbashkët.
Duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, Nazarko u shpreh se protesta e ka vendosur atë në një situatë parehatie, duke e detyruar të rishikojë mënyrën e komunikimit dhe të shfaqë vendosmëri përballë pakënaqësisë qytetare. Nazarko theksoi se përmes daljeve dhe komunikimeve publike, Rama nuk u drejtohet vetëm protestuesve, por edhe mbështetësve të tij politikë, për të përcjellë mesazhe vendosmërie, këmbënguljeje dhe rezistence.
Ai bëri gjithashtu një dallim mes protestës së mëparshme me flakadanë dhe lëvizjes aktuale të të rinjve, duke vënë në dukje se në ditën e parë të kësaj të fundit mund të ketë pasur shqetësim të veçantë në kampin qeverisës, pasi protestuesit dukeshin të vendosur për të hyrë në godinën e Kryeministrisë.
“Kjo është lëvizje sociale. Protesta besoj se nuk është ajo që shihet vetëm në sheshe, është në shoqëri, në rrjete sociale. Ka gjeneruar një energji të re, shprehje e kësaj pakënaqësie të madhe. Do të ishte më efektive nëse do të kishte fytyrë politike, që të përkthehej në lëvizje politike që do të bashkonte në një platformë të përbashkët, shumëngjyrëshe. Rama nuk mund ta fshehë atë elefantin që ka zotëruar këtë hapësirë publike, jo vetëm sheshet, por dhe rrjetet sociale. Protesta e ka vendosur atë në lëvizje, në panik, ku ai duhet të bëjë atë që të rishpikë vetveten.
Rama nuk u flet vetëm protestuesve, por dhe të vetëve. T’u tregojë vendosmëri, këmbëngulje, rezistencë. Nëse do të analizojmë gjestet e tij publike, mënyrën se si ai komunikon, apo ndryshimet e komunikimit, apo intensitetin e daljeve të tij, është e pamundur që të mos vësh re shfaqjen e kësaj parehatie. Protesta e flakadanëve është një dhe kjo është një tjetër. Te e dyta mund të ketë pasur një shqetësim, sidomos ditën e parë, ku duket se protestuesit do të hynin në Kryeministri.”, tha ai.
