Ademi: Pushteti OBRM-PDUKM-VLEN i krijoi kushtet për hyrjen e bankës serbe

Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, deklaroi në një konferencë për shtyp se procesi i marrjes së Stopanska Bankës në Manastir nga Alta Banka e Beogradit lidhet me vendime të marra gjatë vitit 2025. Ai akuzoi Qeverinë OBRM-PDUKM-VLEN se po përpiqet t’ua atribuojë përgjegjësinë për këtë proces qeverive të mëparshme.

Ademi tha se dokumentet zyrtare dëshmojnë që vendimet kryesore për lejimin e hyrjes së bankës serbe në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut u morën kur vendin e drejtonin OBRM-PDUKM, VLEN dhe partnerët e tyre në koalicion.

Të lidhura

None found

“Qeveria e Mickoskit dhe VLEN-it po përpiqet ta turbullojë të vërtetën për Alta Bankën, duke bashkuar vendime të viteve të ndryshme dhe çështje që nuk kanë lidhje mes tyre. Dokumentet zyrtare, megjithatë, janë të qarta”, tha Ademi.

Duke folur për vendimin e 24 tetorit 2023, ai sqaroi se qeveria e asaj kohe kishte marrë masa për mbrojtjen e aksioneve që Maqedonia e Veriut i kishte fituar përmes procesit të sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Sipas tij, aksionet i përkisnin një banke të dikurshme jugosllave, e cila më vonë ishte blerë nga Alta Banka e Beogradit.

Ademi shpjegoi se ligji serb u jep mundësi aksionarëve me më shumë se 90 për qind të aksioneve të marrin edhe pjesën e mbetur pa miratimin e aksionarëve të vegjël. Për këtë arsye, tha ai, qeveria e mëparshme kishte ngarkuar Avokaturën Shtetërore që t’i mbronte interesat e Maqedonisë së Veriut në Serbi.

“Vendimi i vitit 2023 kishte vetëm këtë qëllim. Ai nuk lidhej me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut dhe as me blerjen e Stopanska Bankës në Manastir”, theksoi ai.

Më tej, sekretari i përgjithshëm i BDI-së paraqiti datat e vendimeve që, sipas tij, i hapën rrugë blerjes së Stopanska Bankës nga Alta Banka. Ai tha se më 1 shtator 2025 Banka Popullore dha pëlqimin paraprak për pjesëmarrje të kualifikuar.

Ndërkohë, më 10 shtator, Komisioni i Letrave me Vlerë miratoi, përmes vendimit me numër 10-69, lejen për ofertën e marrjes në kontroll të Stopanska Bankës. Ademi vuri në dukje se vendimi ishte marrë nën drejtimin e kryetares së Komisionit të Letrave me Vlerë, Bujare Abazi, të cilën e cilësoi si kuadër të VLEN-it.

“Ky dokument mban emrin e kryetares së Komisionit, Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it. Bëhet fjalë për lejen zyrtare të ofertës për marrjen në kontroll, e cila u publikua në Gazetën Zyrtare më 22 shtator 2025”, deklaroi Ademi. Sipas tij, kjo tregon se një prej vendimeve themelore të procesit u miratua gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

Ai përmendi edhe vendimet e Qeverisë të datës 23 shtator 2025, të cilat, sipas tij, u miratuan me propozimin e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Ademi pretendoi se me këto përfundime, 16 institucione publike u udhëzuan të vendosnin nëse do ta pranonin apo do ta refuzonin ofertën e Alta Bankës për aksionet që zotëronin.

Ai shtoi se institucionet që do ta pranonin ofertën duhej të paraqisnin edhe deklarata me shkrim brenda afateve të përcaktuara.

“Qeveria nuk qëndroi jashtë procesit. Ajo e përfshiu ofertën e Alta Bankës në procedurat qeveritare dhe angazhoi institucionet publike për ta shqyrtuar atë”, u shpreh Ademi.

Sipas kronologjisë së paraqitur prej tij, oferta e Alta Bankës për blerjen e Stopanska Bankës u shpall e suksesshme në tetor 2025, ndërsa në dhjetor të po atij viti banka ndryshoi emrin në Alta Banka. Ademi theksoi se pëlqimi bankar, autorizimi i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe masat e Qeverisë për aksionet publike u ndërmorën gjatë qeverisjes VMRO-DPMNE–VLEN.

“Kjo kronologji nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së.

Në përfundim të konferencës, Ademi kërkoi nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat e VLEN-it të japin shpjegime për kontrollet mbi origjinën e kapitalit dhe verifikimet e kryera për pronarët e Alta Bankës.

Ai kërkoi që të bëhet e ditur se cilat institucione kanë shqyrtuar burimin e kapitalit, cilat verifikime janë realizuar dhe çfarë vendimesh konkrete kanë marrë institucionet publike për ofertën mbi aksionet.

Gjithashtu, Ademi kërkoi sqarim për përgjegjësinë e çdo institucioni të përfshirë, përfshirë Komisionin e Letrave me Vlerë, që drejtohet nga Bujare Abazi.

“Qytetarët kanë të drejtë të marrin dokumentet dhe përgjigjet, jo të dëgjojnë përpjekje për ta kaluar përgjegjësinë te një vendim i vitit 2023, i cili kishte një tjetër objektiv”, tha ai. Ademi e mbylli konferencën me mesazhin: “Rrena i ka këmbët e shkurtra. Dokumentet mbeten!”.


Shtuar më 14.11.2026 17:16

Quantcast
grandpashabet facebookBursa Escortgrandpashabet facebookjojobetgrandpashabet resmi girişgrandpashabet resmi girişgrandpashabet resmi girişgrandpashabetgrandpashabet girişkahraman haberdeneme bonusucasinofast güncel girişpadişahbetonline notaryxbahisgiftcardmall/mygiftextrabetjojobetsuperbetingrandpashabet giriş