Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me moderatoren Nisida Tufa, ka komentuar zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe kërkesën për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga partia.
Sipas Nazarkos, zhvillimet në Asamble nuk ishin të rastësishme, por pjesë e mënyrës së komunikimit politik të kryeministrit Edi Rama. Ai vlerëson se përmes kësaj nisme Rama synonte të testonte forcën dhe mbështetjen që gëzon brenda strukturave të PS-së, duke parë se sa kundërshtarë do të dilnin hapur kundër tij. Analisti e interpreton këtë lëvizje edhe si një përpjekje të kryeministrit për të rikthyer vëmendjen te Partia Socialiste, në një kohë kur, sipas tij, hapësira publike është dominuar nga rivalët politikë të Ramës.
“Është pjesë e tij që të krijojë ngjarje të tilla. Ngjarje qesharake. Misteri është shoqërues në ngjarjet e tij, në skenarët e tij. Në gjykimin tim, ai, ashtu siç është një ngjarje e tillë, siç është Asambleja e PS-së, kërkon që të rikthejë partinë në komunikim. Ai synon, pasi hapësirën publike e kanë zënë rivalët e tij, ai fton të vetët që të mos jetë përballë popullit vetëm. Ai u përpoq që të testonte fuqinë e tij brenda strukturave të partisë. Mendoj se ishte test për të përjashtuar njërin apo tjetrin, zonjën Spiropali apo zotin Ndreca. Mendoj se ishte test që të kuptonte se sa kundërshtarë do të shfaqeshin përballë tij. Nuk mendoj se ai ka bërë një lloj testi.”, tha ai.
