Elisa Spiropali është përjashtuar nga të gjitha forumet e larta drejtuese të Partisë Socialiste. Konfirmimi ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili ka sqaruar se vendimi përfshin largimin e saj nga Kryesia, Asambleja Kombëtare dhe funksioni i drejtueses politike në njësitë e Tiranës.
Në një reagim publik, Klosi ka theksuar se Spiropali nuk është përjashtuar nga Partia Socialiste si anëtare, por do të mbetet vetëm një anëtare e thjeshtë, pa asnjë funksion në strukturat drejtuese. Ndërkohë, pritet të zyrtarizohet edhe largimi i saj nga grupi parlamentar socialist.
Duke iu përgjigjur raportimeve për përjashtimin e saj nga partia, Klosi i ka cilësuar ato si keqinterpretim të qëllimshëm, duke bërë dallimin mes përjashtimit nga forumet dhe përjashtimit nga anëtarësia.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, shkruan Klosi.
Sekretari i Përgjithshëm ka zbuluar gjithashtu se kundër vendimit janë shprehur tre anëtarë të Asamblesë, të cilët, sipas tij, kanë kundërshtuar parimisht përjashtimin.
“Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë”, vijon ai.
Në përfundim, Klosi ka deklaruar se Partia Socialiste do të vijojë aktivitetin e saj, pavarësisht zhvillimeve të fundit dhe përplasjes së krijuar rreth pozicionit të Spiropalit në parti.












