Klosi sqaron deklaratat për Spiropalin dhe Ndrecën, por mbetet e paqartë pse nuk pati votim në Asamble

14/11/2026 18:06

Pas raportimeve mbi diskutimet në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Blendi Klosi ka reaguar duke i cilësuar lajmet si rezultat i një keqkuptimi të qëllimshëm të prononcimit të tij.

Sipas Klosit, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të partisë, por nuk përjashtohen nga anëtarësia.

Ai shpjegon gjithashtu se nuk pati votim, pasi tre anëtarë kundërshtuan në parim përjashtimin dhe në përfundim të diskutimit gjithçka ishte e qartë.

Nuk është shumë e qartë se si kundërshtimi i tre anëtarëve e bëri të panevojshëm votimin, apo mbi çfarë procedure u arrit në përfundimin e njoftuar nga Klosi, por ky është shpjegimi që ofron Partia Socialiste.

Nga ana tjetër, është disi e vështirë të akuzosh median për keqinterpretim të qëllimshëm të diskutimeve të një Asambleje që vetë partia vendosi ta zhvillojë me dyer të mbyllura.

Nëse gjithçka ishte kaq e qartë brenda sallës, ndoshta do të kishte qenë më e thjeshtë që të ishte e qartë edhe jashtë saj.

Gjithsesi, siç thotë edhe Klosi, nesër është një ditë e re.

Top Channel