Urban Gen/ Të rinjtë në kurthin e lëndëve narkotike dhe basteve! Kur kurioziteti kthehet në varësi dhe argëtimi në rrezik

14/11/2026 18:01

“Urban Gen” vijon të sjellë në ekran problematikat që prekin drejtpërdrejtë Gjeneratën Z, duke i kthyer të rinjtë nga spektatorë në protagonistë të debatit publik.

Një diskutim i hapur në qendër të debatit në “Urban Gen”, një projekt i Fondacionit Dritan Hoxha, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë u bë mbi drogën dhe lojërat e fatit, ku vëmendja u përqendrua tek  sfidat e të rinjve përballë varësive dhe ndikimi i shoqërisë.

Eksperimentimi me substancat narkotike mund të nisë nga kurioziteti, dëshira për t’u dukur pjesë e grupit apo përpjekja për t’u larguar përkohësisht nga problemet e përditshme.

Por ajo që fillon si një përvojë e rastësishme mund të kthehet në një varësi me pasoja për shëndetin, familjen, shkollimin dhe të ardhmen.

Të rinjtë rrëfyen dhe eksperiencat personale dhe ndikimin e shoqërisë.

Po aq shqetësuese është edhe varësia nga lojërat e fatit, veçanërisht në mjedisin digjital, ku bastet dhe format e tjera të lojërave të fatit mund të jenë vetëm disa klikime larg.

Përmes diskutimeve mes të rinjve dhe ekspertëve, “Urban Gen” solli  në vëmendje jo vetëm rreziqet e drogës dhe bixhozit, por edhe nevojën për alternativa të shëndetshme, mundësi zhvillimi dhe mbështetje për ata që përballen me varësinë.

 

Top Channel