Debatet në Asamblenë e PS/ Xhafaj, Braçe e Majko kundër Ramës për përjashtimet. Spiropali: Më quani ‘flamingo’ po s’jam e korruptuar si disa këtu
Në Asamblenë e PS kryeministri Rama kërkoi hedhjen në votim të kërkesës së tij për përjashtimin nga PS të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Ndonëse vendimarrja për këtë kërkesë u shty në një kohë të dytë, gjatë mbledhjes së Asamblesë ajo hasi në kundërshtinë e tre prej atyre anëtarëve që cilësohen si ‘senatorë’ të PS.
Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko kanë kundërshtuar kërkesën për përjashtimin nga Partia Socialiste të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës.
Burime brenda Asamblesë Kombëtare të PS-së, bëjnë me dije se Erion Braçe ka dalë kundër kësaj kërkese, duke u shprehur: “Ne nuk jemi parti që përjashtojmë”. Në të njëjtën linjë mësohet se ka qenë edhe Pandeli Majko, i cili gjithashtu ka kundërshtuar përjashtimin e dy deputetëve.
Zbulohen detaje të reja nga diskutimet mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Sipas burimeve të afërta në mbledhjen e Asamblesë, deputetja e PS Elisa Spiropali ka kundërshtuar kritikat ndaj saj, duke deklaruar se veprimet e saj nuk e kanë turpëruar Partinë Socialiste, ndërsa ka drejtuar gishtin edhe ndaj personave që, sipas saj, kanë abuzuar me pushtetin.
“Nga veprimet e mia nuk është turpëruar PS. Ka ndër ne që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, atëherë më quani flamingo”, mësohet të ketë thënë Spiropali gjatë diskutimeve.
Nga ana e tij Rama mësohet t’i jetë drejtuar Spiropalit me fjalët: “Nuk mund t’i gjuash me gurë shtëpisë”.
©Shqip.com