Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping pritet të zhvillohet më 19 nëntor në qytetin Shenzhen të Kinës. Takimi është konfirmuar nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë, ndërsa disa analistë e kanë cilësuar si një “Jaltë të re”, për shkak të ndikimit që mund të ketë në rendin ndërkombëtar.

Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov bëri të ditur se nuk ka ende një marrëveshje për bisedime të veçanta mes Putinit dhe Trumpit.

Sipas CNN në fokus të samitit pritet të jetë krijimi i një sistemi të ri sigurie në Evropë. Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, deklaroi:

“Qëllimi është të krijohet një sistem gjithëpërfshirës sigurie në Evropë, i cili do të përbëjë një Jaltë të re moderne ose një Potsdam të ri. Nëse arrijmë të krijojmë një sistem të tillë sigurie, atëherë do të garantojmë paqen në Evropë për dekada, ndoshta edhe për shekuj. Ky është objektivi ynë kryesor”.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se samiti mund të shënojë “fillimin e një rikthimi nga rrëshqitja drejt kaosit të plotë, drejt stabilizimit”.

Në agjendë pritet të jenë edhe armët bërthamore dhe Irani. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, tha:

“Presidenti e ka bërë të qartë se do të trajtojë, ndër të tjera, çështjen e reduktimit të numrit të armëve bërthamore në botë. Presidenti Trump vlerëson se kjo përhapje është shumë e rrezikshme”.

Megjithatë, duhet theksuar se deri më tani as Kina dhe as Rusia nuk e kanë konfirmuar takimin e samitit.

“Unë besoj se presidenti synon ta ngrejë çështjen e Iranit gjatë takimit trepalësh me Xi Jinping dhe Vladimir Putin”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti gjatë një bisede telefonike me gazetarët. 

Megjithatë, “Uashingtoni po ndjek një rrugë krejtësisht të veçantë” të negociatave me Kievin dhe Moskën”, shtoi ai duke sqaruar se Kina “nuk është në thelb pjesë e saj. Prandaj, nuk duket e përshtatshme të ngrihet çështja e Ukrainës”.

Një zyrtar amerikan bëri të ditur gjithashtu se Trump mund të ngrejë çështjen e Iranit, ndërsa sqaroi se negociatat për Ukrainën po zhvillohen në një proces të veçantë. Trump pritet të mbërrijë në Shenzhen më 18 nëntor, ndërsa një ditë më pas do të zhvillojë edhe bisedime dypalëshe me Xi Jinping.