Kate Middleton zbulon talentin e fshehtë, lë pa fjalë prezantuesin gjatë transmetimit live

14/11/2026 19:23

Princesha e Uellsit surprizoi dëgjuesit e BBC Radio 2, pasi dërgoi një mesazh zanor në gjuhën uellsiane për një prezantues të njohur.

Kate Middleton ka zbuluar një tjetër talent të saj, këtë herë në fushën e gjuhëve të huaja. Princesha e Uellsit i habiti të gjithë pasi foli në gjuhën uellsiane gjatë një transmetimi radiofonik, duke lënë pa fjalë personin që mori mesazhin e saj.

Bëhet fjalë për Owain Wyn Evans, prezantues i njohur uellsian, i cili po merr pjesë në një aktivitet bamirësie me biçikletë për organizatën BBC Children in Need.

Mesazhi i veçantë u transmetua më 13 nëntor, gjatë emisionit “The Sara Cox Breakfast Show” në BBC Radio 2, ndërsa prezantuesi ishte duke udhëtuar me biçikletë.

Moderatorja Sara Cox e paralajmëroi se kishte një surprizë mbretërore për të. Por habi më të madhe shkaktoi fakti se Kate kishte zgjedhur t’i drejtohej në gjuhën e tij amtare.

“Mirëmëngjes, Owain. Jam Catherine. Po bën një punë të shkëlqyer. Vazhdo kështu. Të uroj gjithë të mirat”, ishte mesazhi i princeshës në gjuhën uellsiane.

Reagimi i prezantuesit ishte i menjëhershëm. “O Zot! Nuk mund ta besoj!”, u shpreh ai, dukshëm i emocionuar nga surpriza.

Më pas, ai komentoi edhe shqiptimin e Kate, duke i thënë moderatores se princesha e kishte folur gjuhën uellsiane në mënyrë të shkëlqyer.

Mesazhi tërhoqi vëmendjen edhe në rrjetet sociale. Në komentet e publikuara në Instagram nga emisioni, shumë përdorues nga Uellsi vlerësuan shqiptimin e princeshës dhe u shprehën të surprizuar nga aftësia e saj gjuhësore.

 

Top Channel