Për herë të dytë brenda javës, studentët mblodhën forcat për protestë kombëtare brenda një kohe të shkurtër.
Demokratët nuk u shfaqën. Refuzimi i studentëve dhe incidentet në protestën e javës së shkuar bënë që Sali Berisha të mos thërriste tubim në mbështetje të tyre.
Qëndrimi para Ministrisë së Arsimit nuk zgjati shumë, pasi dogjën koshat e mbeturinave, protestuesit marshuan drejt Zogut të Zi, ku paralizuan qarkullimin.
Marshimi vijoi drejt 21 Dhjetorit, ku protestuesit linin shenjën e tyre, me kangjellat e hequra nga trotuaret në mes të rrugës dhe tabela reklamash që u bohej flaka.
Bashkë me protestuesit marshonin edhe policët, por distanca u ruajt nga të dyja palët.
Protestuesit vërshuan drejt Unazës së Vogël dhe stopuan tek Kryeministria, aty ku nuk munguan as tensionet pranë Kryesisë së Kuvendit.
Në protestë ka të angazhuar forca të shumta policie, të cilat u kanë bërë thirrje protestuesve përmes megafonit që të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë lëvizjen e automjeteve.
Bëhet e ditur se për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit e sigurisë, policia angazhoi rreth 700 efektivë në terren.
Gjatë tubimit, studentët kanë përcjellë edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, duke vijuar protestën e tyre.
Ata tentuan të mësynin me forcë edhe në Kryesinë e Kuvendit, godinë ku ndodhet gjithashtu Gjykata Kushtetuese.
E goditën me shkelma, hekura e sende të tjera, derisa ndërhynë forcat e policisë që rrethuan godinën dhe e morën në ruajtje.









