Për herë të dytë brenda javës, studentët u mblodhën në një protestë kombëtare, duke rikthyer në rrugë kërkesat e tyre.
Demokratët nuk iu bashkuan tubimit. Refuzimi i studentëve dhe incidentet e regjistruara në protestën e javës së kaluar bënë që Sali Berisha të mos thërriste një protestë në mbështetje të tyre.
Qëndrimi para Ministrisë së Arsimit zgjati pak. Pas djegies së koshave të mbeturinave, protestuesit marshuan drejt Zogut të Zi, ku paralizuan qarkullimin e automjeteve.
Marshimi vijoi drejt zonës së 21 Dhjetorit. Gjatë rrugës, protestuesit hoqën kangjellat e trotuareve dhe i vendosën në mes të rrugës, ndërsa u vunë flakën edhe disa tabelave reklamuese.
Policia shoqëroi marshimin, duke ruajtur distancën nga protestuesit. Më pas, turma vijoi drejt Unazës së Vogël dhe u ndal pranë Kryeministrisë, ku nuk munguan as tensionet në afërsi të Kryesisë së Kuvendit.
Forca të shumta policie ishin angazhuar në terren dhe përmes megafonëve u bënë thirrje protestuesve të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë qarkullimin.
Për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit e sigurisë, Policia angazhoi rreth 700 efektivë.
Gjatë tubimit, studentët përcollën edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, duke vijuar protestën e tyre.

