Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin vepruar në disa zona të Francës, duke hyrë në banesa dhe duke marrë sende me vlerë. Megjithëse katër të akuzuarit kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen në këto ngjarje, gjykata vendosi t’i dënojë secilin me tre vite burg.
Vjedhjet kishin shkaktuar shqetësim te banorët e zonave të prekura. Në Turckheim, një prej banesave të shënjestruara kishte pësuar dëmtime në grilat elektrike dhe dritare. Autorët kishin përdorur edhe një darë për skarë, të marrë nga kopshti, për të ndërhyrë në banesë. Brenda saj kishin përmbysur gjithçka, por nuk kishin arritur të vidhnin asgjë.
Një tjetër episod u raportua në Zimmerbach, ku pronarja e një banese u njoftua nga fqinja se dritarja e shtëpisë së saj kishte qëndruar e hapur për dy ditë.
“Kanë shkaktuar shumë dëme për shumë pak gjëra”, u shpreh një prej banoreve të prekura.
Raste të tjera vjedhjesh janë raportuar edhe në Labaroche, Munster, Porte-du-Ried dhe Rosières-aux-Salines, në rajonin Meurthe-et-Moselle. Mes sendeve të marra nga banesat përmenden bizhuteri dhe një konsolë lojërash PlayStation 5.












