Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka konfirmuar se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më pjesë e asnjë forumi drejtues të PS-së, pavarësisht se Asambleja Kombëtare nuk votoi për përjashtimin e tyre nga partia.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Klosi ka sqaruar se në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, të zhvilluar sot në Durrës, është vendosur që Spiropali dhe Ndreca të mos kenë më përfshirje në strukturat e partisë.
Ai ka argumentuar se përjashtimi i tyre nga vetë partia nuk ka kuptim, pasi anëtarësimi në PS mund të bëhet edhe përmes aplikimit online.
“Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, shkruan Klosi.
Duke iu referuar faktit që kërkesa për përjashtimin e tyre nuk u hodh në votim, sekretari i Përgjithshëm i PS-së thotë se tre anëtarë të Asamblesë ishin kundër përjashtimit në parim dhe u shprehën lirisht gjatë diskutimeve.
“Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti, ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë”, deklaron Klosi.
Në fund të reagimit, ai shprehet se Partia Socialiste do të vijojë aktivitetin e saj, duke e cilësuar mbledhjen e Asamblesë si një aktivitet të zhvilluar me frymë pozitive. m.k





