De La Fuente me fjalë të mëdha për Pedrin: Është talent i jashtëzakonshëm

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis De La Fuente, ka shprehur vlerësime të mëdha për Pedrin para përballjes në Ligën e Kombeve ndaj Anglisë, duke e cilësuar mesfushorin e Barcelonës si një talent të jashtëzakonshëm dhe futbollistin ideal për stilin e lojës së përfaqësueses spanjolle.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, De la Fuente foli edhe për cilësitë e Anglisë, duke veçuar aftësinë e futbollistëve të saj për të shfrytëzuar hapësirat prapa mbrojtjes kundërshtare.
“Një nga pikat e forta të Anglisë është aftësia për të vrapuar në hapësira. Ata kanë lojtarë që janë shumë të zotë në këtë aspekt”, deklaroi përzgjedhësi spanjoll.
Duke kujtuar përballjen e mëparshme me Anglinë në ‘Wembley’, ai pranoi se Spanja kishte hasur vështirësi për ta kontrolluar lojën në pjesën e dytë.

“Në pjesën e dytë të ndeshjes së kaluar na mungoi kontrolli i lojës, ndoshta sepse vetë takimi ndryshoi. Megjithatë, Pedri është një talent i jashtëzakonshëm për këtë lloj futbolli”, u shpreh De la Fuente.
Megjithatë, përzgjedhësi i Spanjës theksoi se Pedri nuk është opsioni i vetëm për atë rol, duke përmendur edhe Fabian Ruizin dhe Mikel Merinon si alternativa.
“Ne kemi shumë lojtarë me këto cilësi. Fabiani, Mikel Merino... Do ta shohim nesër. Cilido që të zgjedhim do të jetë shumë i mirë. Nuk do të gabojmë”, përfundoi ai./Telegrafi/









































