Protestat e të rinjve kanë vijuar edhe këtë fundjavë në disa qytete të Francës dhe Kanadasë, ku nuk kanë munguar përplasjet me forcat e policisë dhe dëmtimet e pronës.

Në Paris, tensionet nisën të shtunën pasdite në Rue Chaligny, në zonën e arrondissementit të 12-të, ku persona të veshur me të zeza hodhën objekte në drejtim të policisë gjatë marshimit. Sipas raportimeve të mediave franceze, efektivët nuk reaguan në atë moment.

Ndërkohë, në Lion u zhvillua një demonstratë ku u ndërthurën kërkesat për mbrojtjen e klimës, të drejtat e fëmijëve dhe çështjet që lidhen me të rinjtë. Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, policia ka kryer disa arrestime gjatë protestave.

Në Tuluzë, mijëra persona morën pjesë në marshim. Sipas prefekturës ishin 1,800 protestues, ndërsa organizatorët pretenduan se numri arrinte në 6,000. Demonstruesit mbanin pankarta kundër politikave shtetërore dhe kërkonin më shumë mbrojtje për të rinjtë.

Valës së protestave iu bashkuan edhe mijëra studentë në Kanada, të cilët dolën në rrugë për të kërkuar më shumë financime për kolegjet dhe universitetet, reforma në sistemin e bursave dhe kredive studentore, si dhe stazhe të paguara.

Një tjetër shqetësim i protestuesve lidhet me rritjen e kostove të strehimit, ushqimit dhe arsimit.

Situata u tensionua në qendër të Montrealit, ku pas marshimit shpërthyen përleshje mes demonstruesve dhe policisë. Protestuesit hodhën gurë, kuti dhe fishekzjarre drejt efektivëve, ndërsa këta të fundit përdorën gaz lotsjellës dhe sprej me piper për të shpërndarë turmën.

Gjatë incidenteve u thyen xhama në disa ndërtesa, u dëmtuan automjete dhe u raportuan tetë raste të dëmtimit të pronës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb