“Na mjafton barazimi?”. Maran nuk bën llogari: Të japim maksimumin

Kombëtarja | 1 minutë më parë

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran është shfaqur në konferencë për media në stadiumin “Illovszky Rudolf Stadion”, në prag të ndeshjes së fundit në grupin C1 në UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, që do të luhet të dielën në orën 18:00.

Mungesa e Ramadanit dhe gjendja e Muçit? – “Jo, nuk jam i shqetësuar, sepse kam në dispozicion lojtarë të tjerë. Jemi te Kombëtarja dhe të gjithë lojtarët që kemi në skuadër janë në nivelin e duhur për të bërë mirë, ndaj nuk ka asnjë arsye për shqetësim.

Përkundrazi, kjo do të jetë një mundësi që lojtarë të tjerë të tregojnë vlerat e tyre dhe të jenë të dobishëm për ekipin. Të gjithë duan të japin kontributin e tyre dhe të bëjnë diçka për këtë fanellë, ndaj do të jetë një mundësi e mirë për ta.

Sa i përket Ernestit, ai nuk është stërvitur këtë mëngjes. Do ta vlerësojmë nesër dhe do të shohim se si do të ndihet”.

Bjellorusia, çfarë kundërshtari prisni nesër? –“Përballemi me një kundërshtar që ndoshta është skuadra ndaj së cilës kemi hasur më shumë vështirësi në këtë grup. Në fakt, në 12 ndeshjet e fundit, Bjellorusia ka humbur vetëm një herë dhe kjo humbje ka qenë pikërisht ndaj nesh.

Kjo tregon se do të përballemi me një skuadër që po kalon një moment të mirë dhe se do të jetë një sfidë e vështirë për të marrë kontrollin e lojës dhe për ta zhvilluar atë sipas mënyrës që duam ne.

Megjithatë, ne jemi gati dhe të vendosur. Kemi ndërtuar një identitet të rëndësishëm si skuadër dhe kemi lojtarë që po përpiqen të japin maksimumin për të arritur rezultatin që na nevojitet. Do të zbresim në fushë me këto cilësi, që janë pikat tona të forta dhe që duhet t’i shfaqim në maksimum kur luajmë me këtë fanellë, për të arritur objektivin tonë”.

 

Do të jeni të kënaqur me barazimin nesër, apo do të futeni në fushë vetëm për fitore? – “Jo, absolutisht jo. Ne jemi një skuadër që nuk bën llogari. Nuk do të shihni kurrë një ekip që zbret në fushë duke kursyer energjitë apo duke bërë llogari. Ne jemi një skuadër që duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje.

Këta janë lojtarë që, nëse kanë këtë mentalitet, arrijnë të japin edhe më shumë nga sa pritet prej tyre. Ne përpiqemi gjithmonë të tejkalojmë veten, të përmirësohemi çdo ditë dhe në çdo ndeshje. Ky është objektivi ynë: të jemi më të mirë se në ndeshjen e fundit, për të arritur rezultatin që kërkojmë, pa menduar për asgjë tjetër dhe pa bërë absolutisht asnjë llogari.

A do të ndikojë në qasjen tonë fakti që na shërben edhe vetëm barazimi për të arritur vendin e parë? – Unë jam mësuar të them gjithmonë të vërtetën. Në fakt, kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë brenda dhomës së zhveshjes apo në mbledhjet tona. Ne kemi menduar vetëm të japim maksimumin dhe të bëjmë gjithçka për të zhvilluar paraqitjen më të mirë të mundshme. Ne jemi të përqendruar te paraqitja jonë dhe te dhënia e maksimumit për këtë fanellë”.

Si kanë qenë këto dy ditë përsa i përket rikuperimit, a ka mjaftuar koha për të qenë gati? –  “Është e qartë që në këto raste punohet më shumë përmes analizës sesa përmes stërvitjes në fushë. Sot, gjatë seancës stërvitore, jemi përpjekur të shohim disa situata, por më shumë në aspektin teorik dhe shpjegues. Besoj se kjo vlen si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin.

Në ndeshje të tilla duhet të përqendrohemi te disa situata të caktuara që mund të jenë vendimtare dhe që mund të na ndihmojnë gjatë lojës. Bëhet fjalë për situata që i kemi analizuar dhe evidentuar në ndeshjet e mëparshme, si në tonat, ashtu edhe në ato të Bjellorusisë”.

Formacioni, a e keni vendosur si do të luani nesër? – Jo, kur luan ndeshje kaq të afërta me njëra-tjetrën, është më e vështirë të kesh që në fillim një formacion të përcaktuar me siguri. Duhet të shoh fillimisht gjendjen e lojtarëve nesër në mëngjes dhe më pas të marr vendimin.

Sigurisht që kam disa ide në mendje, por dua të shoh se si do të reagojnë lojtarët gjatë aktivizimit të mëngjesit të nesërm dhe çfarë përgjigjesh do të marr nga gjendja e tyre fizike. Pastaj do të bëj zgjedhjen përfundimtare”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme