Dua Lipa me xhaketën që ende nuk ka dalë në shitje: Mjaftuan një palë xhinse për një kombinim që bie në sy

Jakë gjigante, mëngë me gëzof dhe një prerje e pazakontë. Krijimi i Charlotte Simone tregon pse këtë dimër një xhaketë mund të vlejë sa e gjithë veshja
Ekziston një lloj xhakete dimërore që nuk kërkon kombinime të ndërlikuara për t'u dukur mbresëlënëse. Dua Lipa, e njohur për dashurinë ndaj veshjeve ekstravagante, e kupton këtë më mirë se kushdo.
Mjafton ta vishni mbi një palë xhinse të zakonshme dhe gjithçka është gati. Nuk nevojiten aksesorë të shumtë apo përzgjedhje e kujdesshme e çdo detaji. Vetë xhaketa bëhet elementi kryesor i veshjes.
Këngëtarja shqiptare ka prezantuar një model që ende nuk ka dalë në shitje, nga koleksioni i ardhshëm Winter Drop 2 i kreatores londineze Charlotte Simone, shkruan Vogue.
Xhaketa që e ndryshon të gjithë kombinimin
Modeli dallohet për jakën jashtëzakonisht voluminoze me gëzof ngjyrë kafe, fundet e mëngëve me gëzof të dendur dhe prerjen e shkurtër.
Dua Lipa e kombinoi me xhinse blu të zbehura Didy nga Icon Denim dhe një çantë të zezë Madison nga Bottega Veneta.
“Dua është personifikimi i asaj që imagjinoj kur krijoj”, thotë Charlotte Simone për Vogue.
“Ajo nuk duket kurrë sikur është përpjekur tepër për veshjen e saj. Mund ta hedhë një nga xhaketat tona mbi xhinse të thjeshta ose një fustan elegant dhe menjëherë xhaketa bëhet e gjithë veshja”, shpjegon kreatorja.

Palltot ekstravagante po ndryshojnë modën dimërore
Veshjet e sipërme me detaje të pazakonta po bëhen gjithnjë e më të pranishme në modën dimërore.
Jennifer Lawrence është shfaqur në Nju-Jork me një pallto luksoze prej kadifeje në nuancë të gjelbër në të verdhë, të krijuar nga Colleen Allen.
Ndërkohë, palltot me frymëzim vintage dhe detaje gëzofi të markës Carelli janë bërë të njohura në Londër.
Edhe Kendall Jenner dhe Hailey Bieber kanë zgjedhur krijimet e Conner Ives, mantela mëndafshi të qëndisur, me jaka dhe mëngë të zbukuruara me gëzof voluminoz.
Këtë sezon, ngjyrat e pazakonta, teksturat e theksuara dhe përmasat dramatike po u japin palltove një karakter më teatror.
Charlotte Simone, marka që adhurojnë yjet
Marka londineze, e themeluar nga Charlotte Simone Beecham, njihet për modelet nostalgjike Penny Lane, jakat e mëdha prej gëzofi artificial dhe teksturat e buta.
Taylor Swift, Gigi Hadid, Charli XCX dhe Lila Moss janë ndër emrat e njohur që kanë zgjedhur krijimet e saj.
Edhe Dua Lipa është adhuruese e kahershme e markës.
Vetëm disa javë më parë, ajo u fotografua në Nju-Jork me xhaketën Lila, në nuanca blu të errët dhe të zezë, të kombinuar me xhinse të çelëta, çizme të trasha Chrome Hearts, syze të mëdha dhe çantë Chanel.

Koleksionet që shiten brenda pak minutash
Një nga veçoritë e Charlotte Simone është prodhimi në sasi të kufizuara. Në vend të koleksioneve të shumta, marka prezanton vetëm disa seri gjatë vitit.
Modelet dizajnohen në Londër dhe prodhohen në sasi të vogla, me vëmendje ndaj cilësisë dhe jetëgjatësisë. Disa prej krijimeve më të kërkuara shiten brenda pak minutash.
Koleksioni i parë dimëror, i prezantuar në tetor, u frymëzua nga nuancat e arta të agimit dhe atmosfera romantike e mëngjeseve dimërore.
Tani pritet Winter Drop 2, ndërsa Dua Lipa tashmë ka prezantuar një nga modelet e tij.
“Më pëlqen vetëbesimi i saj. Ajo nuk ndjek trendet, por vesh atë që i pëlqen dhe e bën krejtësisht të vetën”, thotë Simone. /Telegrafi/















































