Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook fotografi nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të shtunë, ku ka përcjellë edhe një mesazh për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në reagimin e tij, Rama e cilëson historik rekomandimin e Raportit të Zgjerimit të BE-së për nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë thekson se ky është thelbi i arritjeve dhe përgjegjësisë së vendit, duke nënvizuar se asnjë zhvillim apo incident nuk duhet ta largojë Shqipërinë nga objektivi i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
“Rekomandojmë nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për TRAKTATIN E ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË në Bashkimin Europian”, shkruan Rama, duke e cilësuar këtë si fjalinë historike të raportit.
Në mesazhin e tij, kryeministri ka bërë edhe një referencë ndaj protestave dhe incidenteve të fundit. Duke komentuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ai është shprehur se ka parë te socialistët entuziazmin për nisjen e një beteje të re politike dhe për një tjetër fitore.
Në fund të postimit, Rama ka bërë edhe një deklaratë për 9 majin e vitit 2027, duke e lidhur këtë datë me Bashkimin Europian dhe Partinë Socialiste.
“9 MAJI 2027 DO TË JETË DITA E EUROPËS DHE E PARTISË SOCIALISTE – për këtë s’ka nevojë të shkojmë deri në Kuç”, shkruan kryeministri.

