Gabim njerëzor apo pajisje me defekt? SHBA-ja heton shkakun e paralizimit të trafikut ajror

Mbi 12 mijë fluturime janë anuluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten dhe të shtunën, pas një ndërprerjeje të paprecedentë të trafikut ajror në shkallë kombëtare, e shkaktuar nga probleme në sistemin e komunikimit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

Sekretari amerikan i Transportit, Sean P. Duffy, ka thënë se problemi mund të jetë shkaktuar nga pajisje të dëmtuara ose nga një gabim gjatë punës së një kontraktori që po zëvendësonte linjat e vjetra të telekomunikacionit prej bakri me fibra optike në një objekt të largët të FAA-së.

Duke iu referuar kompanisë kontraktore L3Harris, Duffy tha të shtunën në një konferencë për media se autoritetet ende nuk e kanë përcaktuar shkakun e saktë të ndërprerjes.

“Ajo që po përpiqemi të përcaktojmë është nëse kemi pasur paaftësi, domethënë, nëse bëhej fjalë për gabim njerëzor nga ana e përdoruesit, apo nëse ata kanë instaluar një ruter me defekt. Ende nuk e kemi përcaktuar se cili ishte problemi”, tha Duffy.

Ai shpjegoi se defekti kishte shkaktuar “mbi 1 mijë përpjekje për lidhje çdo katër deri në pesë sekonda”, duke krijuar probleme në komunikimin me avionët dhe duke shkaktuar ndërprerje edhe në transmetimin e të dhënave nga radarët.

“Ky ishte një sistem i FAA-së që nuk arriti t’i përballonte kërkesat. Kontraktori ynë nuk arriti t’i përmbushte ato ose pajisjet nuk funksionuan siç duhej, duke shkaktuar ndërprerjet”, deklaroi ai, duke i bërë thirrje Kongresit amerikan të miratojë më shumë fonde për modernizimin e sistemeve.

Kompania L3Harris nuk iu përgjigj kërkesave për koment të premten në mbrëmje dhe të shtunën.

Ndërkohë, kaosi në aeroportet amerikane vazhdoi edhe gjatë fundjavës, me mijëra anulime të tjera fluturimesh. Autoritetet ndërkombëtare kanë paralajmëruar gjithashtu se mund të ketë pengesa në fluturimet drejt dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Administratori i FAA-së, Bryan Bedford, tha të shtunën se “më e keqja ka kaluar” dhe se fluturimet në mbarë vendin pritet t’i kthehen orarit të zakonshëm deri në fund të fundjavës.

Sipas Bedfordit, nga rreth 41 mijë fluturime të planifikuara për të shtunën, pritet të anulohen nga 4 mijë deri në 5 mijë. Ndërsa të premten janë anuluar rreth 12 mijë fluturime, prej të cilave 9 mijë komerciale dhe 3 mijë të aviacionit privat apo të përgjithshëm.

Ndërprerja e së premtes shkaktoi konfuzion në aeroporte dhe gjatë fluturimeve. Kjo ishte hera e parë që hapësira ajrore amerikane mbyllej në shkallë kombëtare që nga janari i vitit 2023, kur dështoi sistemi i FAA-së për shpërndarjen e njoftimeve urgjente të sigurisë për pilotët dhe dispeçerët.

Pasagjerët kanë të drejtë të marrin rimbursim të plotë të biletës në rast se kompania ajrore anulon fluturimin dhe ata zgjedhin të mos pranojnë udhëtim alternativ, kuponë apo forma të tjera kompensimi. Rimbursimi u takon edhe në rast të vonesave të konsiderueshme ose ndryshimeve të rëndësishme në udhëtim, sipas Departamentit amerikan të Transportit.

Ndërprerja ndodhi në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të modernizojë sistemet e kontrollit të trafikut ajror në të gjithë vendin. Në kuadër të këtij procesi është paralajmëruar edhe zëvendësimi i teknologjisë së vjetër, e cila ende mbështetet në disqe fleksibël (floppy disks) të disa dekadave më parë, me sisteme më moderne.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika