Pas një seance maratonë që zgjati rreth 7 orë, Gjykata e Fierit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Vojën, Dilaver Shytin dhe Anila Haxhiun, të cilët janë nën hetim për tjetërsimin e pronës shtetërore në zonën e Povelçës.
Ndërkohë, për Fjorelo Bidën gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë, duke caktuar ndaj tij tre masa me karakter ndalues.
Të katër personat janë pjesë e hetimeve për kalimin e paligjshëm të 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në pronësi private.
Sipas dyshimeve të hetuesve, trualli në Povelçë ishte planifikuar të përdorej për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Ata akuzohen për vepra penale që lidhen me mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.













