Platforma postare franceze Maileva, në pronësi të grupit La Poste, është bërë objekt i një sulmi kibernetik në muajin shtator, gjatë të cilit janë vjedhur të dhënat personale të 22 milionë personave. Ky informacion është bërë publik sëfundmi, më shumë se një muaj pasi sulmi ka ndodhur.
“Janë bërë publike të dhënat e kontaktit, përfshirë emrat, mbiemrat dhe adresat postare të kompanive kliente të Maileva-s”, bëri të ditur grupi përmes një komunikate zyrtare.
Corriere della Sera shkruan se Maileva ka njoftuar Komisionin Kombëtar për Informatikën dhe Liritë Civile (CNIL), si dhe ka paraqitur një kallëzim penal. “Ka nisur një hetim gjyqësor”, njoftoi La Poste, duke konfirmuar për agjencinë e lajmeve AFP informacionet e publikuara nga faqja e internetit cyberattaque.org, e cila e cilësoi ngjarjen si "një nga shkeljet më të mëdha të sigurisë së të dhënave në Francë".
Maileva është një kompani e specializuar në digjitalizimin e proceseve dokumentare dhe dërgimin e korrespondencës për profesionistët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe kompanitë e mëdha në Francë. Shërbimet e saj përfshijnë dërgimin e fletëpagesave, letër-rekomandimeve, faturave dhe njoftimeve për mbledhjet e përgjithshme të aksionarëve.
Kompania është pjesë e Docaposte, e cila kontrollohet nga grupi La Poste. Maileva numëron mbi 70 milionë përdorues dhe vetëm gjatë vitit 2024 ka dërguar 180 milionë dokumente.
“Në përputhje me rregulloret në fuqi, të gjitha kompanitë e prekura janë njoftuar për incidentin”, thuhet në komunikatën e Maileva-s.
Ky nuk është rasti i parë kur grupi postar francez bëhet objekt i një sulmi kibernetik. Në vitin 2025, vetëm pak ditë para Krishtlindjeve, hakerë pro-rusë morën përsipër përgjegjësinë për një sulm kibernetik që vështirësoi gjurmimin e pakove dhe rëndoi ndjeshëm funksionimin e shërbimeve postare franceze në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit.











Komente
Komento