Pas rreth shtatë orësh seancë maratonë në Gjykatën e Fierit, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për drejtorin e Spitalit të Fierit, Arben Voja, si dhe për Dilaver Shytin dhe noteren Anila Haxhiu.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Noel Veizi, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, e përfaqësuar nga prokurori Leonard Suçi.
Ndërkohë, për Fjorelo Bidën, gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë, duke i caktuar tri masa me karakter ndalues.
Seanca gjyqësore kishte në fokus shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurisë ndaj personave të përfshirë në këtë çështje.
Hetimi lidhet me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë në Povelçë, e destinuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik.
Sipas dyshimeve të hetimit, Dilaver Shyti akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Ndërsa Arben Voja dhe Fjorelo Bida dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, kurse noterja Anila Haxhiu për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.

